MAP

Leoni XIV: të kesh shikimin e Marisë ndihmon popujt dhe kulturat të ecin në paqe

Papa mbylli, me një fjalim mbajtur në Sallën Pali VI, katër ditët e punimeve të Kongresit të 26-të Ndërkombëtar Mariologjik Marian, duke falënderuar rreth 600 studiues të mariologjisë të pranishëm në punime: Virgjëra Mari nuk pushon së hapuri dyer, krijuar ura, shembur mure dhe ndihmuar njerëzimin të jetojë në harmoninë e diversiteteve.

R.SH. – Vatikan

Të soditësh misterin e Zotit dhe të historisë me shikimin e brendshëm të Marisë Virgjër na mbron nga mistifikimet e propagandës, ideologjisë dhe informacionit të sëmurë, të cilat kurrë nuk do të dinë të sjellin një fjalë të çarmatosur dhe çarmatosëse, dhe na hap ndaj faljes hyjnore, e cila e vetme bën të mundur ecjen së bashku të njerëzve, popujve dhe kulturave në paqe.

Në këtë mënyrë, duke theksuar se dëgjimi i Fjalës së Zotit e hap Kishën ndaj sinodalitetit, Papa Leoni XIV përmblodhi, në fjalimin e tij përmbyllës në Sallën Pali VI, temat dhe rezultatet e punimeve të Kongresit të 26-të Ndërkombëtar Mariologjik Marian, i cili u zhvillua në Romë, në Auditorin Antonianum, nga 3 shtatori deri më sot, 6 shtator, dhe u promovua nga Akademia Papnore Mariana Ndërkombëtare. Për katër ditë me radhë rreth 600 studiues të mariologjisë, nga katër kontinentet, diskutuan mbi temën, titullin e Kongresit "Jubileu dhe Sinodaliteti: një Kishë me fytyrë dhe praktikë mariane".

Dy kategori biblike

Konferenca, sipas Papës, ka "njohur", që nga titulli i saj, dy "kategori biblike", jubileun dhe sinodalitetin, të cilat "tregojnë në mënyrë efektive thirrjen dhe misionin e Nënës së Zotit", në të cilën "është e mundur të lexohet thirrja e Kishës". Maria është pra një model për Kishën: "Virgjëra Mari, Nënë e Kishës - tha Leoni XIV - na mëson të jemi populli i shenjtë i Zotit". Një shembull nga i cili, shtoi Papa, "rrjedh edhe rëndësia e kësaj Akademie Papnore" e cila, me meritë, na kujton se "Kisha ka gjithmonë një fytyrë dhe një praktikë mariane".

"Grua jubilare"

Maria, shpjegoi Leoni XIV, është një "grua jubilare" pasi "gjithmonë fillon nga dëgjimi i Fjalës së Zotit" dhe e bën këtë me qëndrimin e përshkruar nga Shën Augustini në Librin e dhjetë të Rrëfimeve, cituar nga Papa: duke mos pritur përgjigjen e dëshiruar, por duke synuar të dëshirojë atë që "dëgjon" nga Zoti. Ashtu si Maria, as Kisha nuk duhet të lodhet kurrë së kultivuari dialogun me Zotin dhe së bëri pyetje "të pakëndshme", pyetje “shqetësuese”, siç bën Virgjër Mari në momentin e Lajmërimit të Engjëllit të Zotit: "Si do të ndodhë kjo?".

"Grua sinodale"

Maria është, së dyti, ka argumentuar Papa, një "grua sinodale", sepse “si nënë është plotësisht e përfshirë në veprimin e Shpirtit Shenjt" që gjithmonë thërret të "ecin së bashku, si vëllezër e motra" ata që më parë ishin "të ndarë", për "mosbesimin reciprok" ose "madje" për "armiqësi". Maria, ka shpjeguar akoma Leoni XIV, është "bashkëpunëtorja e përsosur e Shpirtit Shenjt Zot, nuk pushon së hapuri dyert, së krijuar ura, së shemburi mure dhe së ndihmuari njerëzimin të jetojë në paqe në harmoninë e shumëllojshmërisë".

Një Kishë me fytyrën e Marisë

Duke u nisur nga këto dy karakteristika, të kondensuara nga dy kategoritë biblike, rrjedh misioni i “një Kishe me zemër mariane” që “ruan dhe kupton gjithnjë e më mirë hierarkinë e të vërtetave të fesë, duke integruar arsyen dhe ndjenjën, trupin dhe shpirtin, universalen dhe lokalen, personin dhe komunitetin, njerëzimin dhe kozmosin”. “Një pietas dhe një praktikë mariane”, shpjegoi Papa Loeni XIV që duke e konkretizuar misionin bamirës të Kishës, “i marrin seriozisht të gjitha realitetet njerëzore, duke filluar nga të fundit dhe të mërnjanuarit e shoqërisë”.

Maria, rrugë dialogu ndërmjet kulturave

Në përfundim të fjalës së tij, para se ta mbyllte takimin me lutjen e ‘Të falemi Mari’, Papa falënderoi Akademinë Papnore për “shërbimin kishtar” që kryen, domethënë “propozimin e figurës dhe mesazhit të Nënës së Jezusit si rrugë takimi e dialogu ndërmjet kulturave”.

06 shtator 2025, 16:22