Leoni XIV: në vështirësi, të dëgjojmë mesazhin e shpresës së Krijimit
R.SH. - Vatikan
Shën Augustini është frymëzuesi i udhëzimeve që Papa Leoni XIV - në një mesazh të nënshkruar nga kardinali Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin - u ofron pjesëmarrësve në punimet e Kongresit të XII-të Latinoamerikan të Shkencës dhe Fesë. Me titullin ”Gjuhët e krijimit. Hermeneutika shkencore, filozofike dhe teologjike e Librit të Natyrës si rrugë shprese”, kongresi po zhvillohet në Ateneun Regina Apostolorum në Romë nga data 10 deri më 12 shtator.
Në mundime, të dëgjojmë shpresën që vjen nga Zoti
Ftesa e Papës, drejtuar Rektorit të Institutit Regina Apostolorum, Atë José Enrique Oyarzún, L. C. për organizatorët dhe pjesëmarrësit është të "kërkojmë rrugë që e ndihmojnë njeriun të kapërcejë gjithçka që mund të matet, për të soditur Masën pa masë, të kapërcejë gjithçka që mund të numërohet, për të soditur Numrin pa numër, të kapërcejë gjithçka që mund të jetë mëkat, për të soditur Peshën pa peshë". Citimi është marrë nga vepra De Genesi ad littteram, e Ipeshkvit të Hiponës. Në këtë mënyrë, vazhdon Papa duke bekuar angazhimin e pjesëmarrësve në punimet e kongresit që po mbahet këtyre ditëve, vepra e Zotit do të shpallë lavdinë e Krijuesit të tij, njeriu do të mund të dëgjojë mesazhin e tij të shpresës jo vetëm në shkëlqimin e ditëve të ndritshme të ekzistencës së tij, por edhe në netët e ankthit dhe të mundimit që janë tipike për gjendjen njerëzore.
Një hapësirë ndërdisiplinore midis teologjisë dhe IA
Organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Diálogo entre Ciencia y Religión (DeCyR), të Lëvizjes Laudato si’ – Capitolo Argentina dhe të Universidad Popular Autónoma del Estado de Puebla (UPAEP), kongresi propozohet si një hapësirë reflektimi ndërdisiplinor midis shkencave natyrore, filozofisë dhe teologjisë, mbi simbolizmin e pasur të "Librit të natyrës" dhe aktualitetin e tij në kërkimin e kuptimit dhe shpresës.