"Gëzuar ditëlindjen Leoni XIV!": urimet e botës për Papën
R.SH. / Vatikan
Të shumta urimet për ditëlindjen e Leonit XIV, ardhur në Vatikan nga mbarë bota, i cili sot, më 14 shtator, mbush 70 vjeç. Urimet i ka bërë, "në emër të popullit italian, së bashku" me "urat e tij të sinqerta për mirëqenie shpirtërore dhe personale", edhe presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit italian thekson "thirrjet ngulmuese" të Papës "që të ndërpritet zjarri dhe të rifillojë rruga e dialogut, për të mirën e përbashkët të popujve", në një kohë kur "është rritur frika se bota po shkon drejt një kreshte të rrezikshme, e frymëzuar nga një logjikë e përhapur e shkeljes dhe dhunës e gjithnjë e më shumë e shënuar nga konflikte shkatërruese". "Jemi para një derdhje të patolerueshme gjaku dhe shkatërrimi që paguhet çdo ditë mbi të gjitha nga mijëra viktima civile", shkruan Mattarella, duke shtuar se "përballë këtyre shqetësimeve, gratë dhe burrat e vullnetit të mirë ndjejnë me urgjencë nevojën për paqe e drejtësi" dhe se "nga çdo kontinent shikohen me shpresë të gjallë" fjalët e Papës. Presidenti i Republikës Italiane, duke cituar më pas Shën Augustinin, i cili ka thënë se "kohët jemi ne", thekson se i takon të gjithëve "dhe në veçanti atyre që mbajnë poste publike" të angazhohen "që rrethanat të përmirësohen, duke rihapur horizonte dialogu, drejtësie dhe mbrojtjeje konkrete të dinjitetit të çdo personi", dhe siguron Leonin XIV për bashkëpunimin e shtetit italian në "Misionin e Tij të lartë apostolik".
Një letër nga presidenti i ipeshkvijve gjermanë
Ndër Konferencat episkopale të Kishave të botës, edhe Konferenca Ipeshkvore Gjermane i drejton urimet e saj Papës. Këtë e bën me një letër të botuar dje, më 13 shtator, në të cilën presidenti, ipeshkvi i Limburgut, Imzot Georg Bätzing, shkruan: "Në emër të Konferencës Ipeshkvore Gjermane, të besimtarëve në Gjermani dhe në emër personal, ju shpreh urimet e mia më të sinqerta për shtatëdhjetëvjetorin tuaj, të cilin e festoni këto ditë. Për dekadën e re të jetës ju uroj bekimin e Zotit, shumë forcë në shërbimin pjetrin dhe një shëndet gjithmonë të mirë". Presidenti i prelatëve gjermanë kujton në fund edhe angazhimin e palodhur të Leonit XIV për paqen dhe i kërkon atij të "mos heqë dorë nga kjo përpjekje dhe të përdorë të gjitha mjetet e diplomacisë së Vatikanit në mënyrë që perspektiva e tij, ajo e paqes për njerëzimin, të bëhet realitet".