Gaza, Papa i telefonon famullitarit Romanelli: shqetësim dhe afërsi
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni XIV shqetësohet vazhdimisht për Gazën, ku dje, një orë para mesnatës, ushtria izraelite filloi sulmin e saj tokësor. Mediat e qytetit informojnë për 37 sulme në 20 minuta dhe për eksodin masiv të popullsisë nga zona veriperëndimore. Pikërisht për të pyetur rreth situatës, nga Castel Gandolfo ku ndodhej sot, Papa i telefonoi meshtarit argjentinas, atë Gabriel Romanelli, famullitar i kishës së Familjes Shenjte, ku janë strehur rreth 450 vetë. Biseda u konfirmua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
"Papa", njoftohet nga drejtori Matteo Bruni, "shprehu shqetësimin e tij për ç’po ndodh dhe e siguroi atë Gabrielin dhe të gjithë ata që i drejtohen famullisë për afërsinë dhe lutjet e tij". Telefonata e fundit e Atit të Shenjtë me famullitarit u bë javën e kaluar, duke vijuar traditën e nisur nga Papa Françesku, i cili i telefononte atë Gabrielit çdo mbrëmje, në orën 19.00, për t’u informuar mbi situatën.
Videoja e lutjes gjatë bombardimeve
Dje, famullitari i Gazës postoi një video në faqen e tij në X dhe Instagram, duke treguar bombardimet ndërsa po kremtohej liturgjia në kishë. Më pak se 30 sekonda më vonë, zhurma e një sulmi ndërpreu heshtjen e besimtarëve, të cilët megjithatë vazhduan të luteshin, të mësuar të jetojnë në mes të këtij tmerri të përditshëm.