Veletri shpallet Civitas Mariae - Qytet i Marisë. Papa: qoftë nxitje për veprim
R.SH. / Vatikan
Velletri, qytet në zonën Castelli Romani, që dje, 26 gusht, është "nën mantelin mbrojtës amtar të Zojës së Bekuar". Këtë e lexojmë në një mesazh nënshkruar nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, që në emër të Papës, ia dërgoi Ipeshkvit të Velletri-Segni-Frascati, Imzot Stefano Russo.
Një bekim, që erdhi me rastin e shpalljes zyrtare të qytetit italian Velletri "Civitas Mariae". Papa Leoni XIV uron "një devocion të përtërirë ndaj Zojës Sonë, duke i inkurajuar besimtarët në dëshmi bujare ungjillore, angazhim të zjarrtë për të të mirën e përbashkët dhe bashkëjetesën paqësore të shoqëruar nga mirëseardhja, veçanërisht ndaj më të ligshtëve".
Papa, me ndërmjetësimin e Marisë Virgjër, e cila nderohet në Velletri si Zoja e Hirit, u dërgon bekimin e tij apostolik "meshtarëve, autoriteteve dhe të gjithë të pranishmëve, me një mendim të veçantë për të sëmurët dhe të moshuarit".
Mbrëmë, në orën 18:00, u bë shpallja publike e Velletrit "Civitas Mariae" dhe zhvendosja e figures së Zojës Mari në Bashkinë e Qytetit, ku u zbulua një mbishkrim përkujtimor, i ndjekur nga procesioni drejt Katedrales. Më pas u kremtua Mesha nga Ipeshkvi dioqezan imzot Stefano Russo.
Për prelatin, shpallja e qytetit të Veltrit si "Civitas Mariae" është "thirrje për një angazhim të përbashkët, që e fton secilin të jetë ndërtues i paqes në jetën e përditshme dhe ta jetojë bashkëpërgjegjësinë si shenjë konkrete feje". Kjo njohje synon të jetë "busull për jetën e secilit", shtoi Imzot Russo, "që orienton të tashmen dhe hap rrugën drejt së ardhmes". Është thirrje për të "qenë qytet mikpritës dhe gjithëpërfshirës", "ftesë për të transformuar dallimet në pasuri, për ta parë takimin si rrugë shprese e, sidomos, për t'u bërë ndërtues të paqes.