MAP

Tor Vergata: të rinjtë pyesin e Papa përgjigjet. "Kërkoni të vërtetën e një botë më njerëzore"

Miqësia, guximi për të zgjedhur, thirrja e mirësisë dhe vlera e heshtjes ishin temat mbi të cilat reflektuan Leoni XIV dhe të rinjtë në Tor Vergata, kulmi i Jubileut të Rinisë, gjatë vigjiljes së lutjes së 2 gushtit 2025, 25 vjet pas takimit të DBR-së me Papën shenjt Gjon Pali II. Ati i Shenjtë u lut edhe për dy vajzat, që vendosën të vinin në Romë për Jubileun e Rinisë, por vdekja ua ndërpreu jetën këto ditë

R.SH. - Vatikan

Ashtu si 25 vjet më parë, me Papën shenjt Gjon Pali II, për Ditën Botërore të Rinisë, me të cilën hapej horizonti para Mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit, sonte, ndërsa dielli përflakte me ngjyrë të kuqe e ngjyrë ari pikën ku qielli prek tokën, një milion të rinj u mblodhën po në Tor Vergata, në periferi të Romës, për të takuar një Papë tjetër, Leonin XIV. Ndër ta, edhe të rinjtë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, disa prej të cilëve, në intervistën me Radio Vatikanin, gjatë këtyre ditëve, dëshmuan se mezi ç’prisnin të vinte kjo orë, ora e takimit me Atin e Shenjtë për të dëgjuar mesazhin e tij të shpresës.

Papa Leoni XIV, që shkoi një orë para fillimit zyrtar të vigjiljes së lutjes, për t’u zhytur në atë turmë të zhurmshme, ku të shumtë ishin ata, që patën ardhur në të njëjtin vend edhe 25 vjet më parë, zbriti nga makina e mori në dorë kryqin për t’u ngjitur në skenën e përgatitur me këtë rast. Pastaj, u lut, reflektoi, këndoi e i la të rinjtë të bënin zhurmë, i vetëdijshëm se pikërisht në këtë vend, paraardhësi i tij polak ua dha këtë leje e madje, u tha edhe se Roma e bota nuk do ta harronin kurrë atë zhurmë. Por bota e të rinjve dixhitalë është edhe celularë të ngritur për të marrë një video të shkurtër, një fotografi, që publikohet në rrjetet sociale, duke e shtrirë e përhapur këtë takim në gjithë globin, në kohë reale. E, megjithatë, në çastin e pyetje-përgjigjeve të të rinjve me Atin e Shenjtë, celularët lihen mënjanë, zhduken edhe nga shtyllat ku ishte parashikuar ngarkimi i tyre me energji elektrike e, mbretëron heshtja. Papa iu përgjigj pyetjeve të tre të rinjve mbi temat e miqësisë, guximit për të zgjedhur dhe thirrjes së mirësisë.

  (Vatican Media)

Pyetja 1 – Miqësia, bërë nga Maria, 23 vjeç, nga Meksika

Atë i Shenjtë, ne jemi bij të kohës sonë. Jetojmë në një kulturë që na përket e, pa e kuptuar, na formon; përdoret nga teknologjia, veçanërisht në sferën e rrjeteve sociale. Shpesh e mashtrojmë veten duke menduar se kemi shumë miq e se po krijojmë lidhje afërsie, ndërsa përjetojmë gjithnjë e më shumë forma vetmie. Jemi të afërt dhe të lidhur me shumë njerëz, po këto lidhje nuk janë të vërteta e të qëndrueshme. Janë kalimtare e shpesh, edhe iluzore.

Atë i Shenjtë, ja pyetja ime: si mund të gjejmë miqësi të sinqertë dhe dashuri të vërtetë, që na hapin rrugën drejt shpresës së mirëfilltë? Si mund të na ndihmojë feja për të ndërtuar të ardhmen tonë?

Të dashur të rinj, marrëdhëniet me njerëzit e tjerë janë të domosdoshme për secilin prej nesh, duke nisur nga fakti se të gjithë burrat dhe gratë në botë lindin fëmijë të dikujt. Jeta jonë fillon falë një lidhjeje, e përmes lidhjeve rritemi. Në këtë proces, kultura luan rol themelor: është kodi me të cilin interpretojmë veten e botën. Ashtu si fjalori, çdo kulturë përmban fjalë fisnike e edhe vulgare, vlera edhe gabime, të cilat duhet të mësohemi t'i njohim. Duke kërkuar me pasion të vërtetën, jo vetëm që marrim kulturë, por e transformojmë atë përmes zgjedhjeve të jetës. E vërteta është lidhje që bashkon fjalët me sendet, emrat me fytyrat. Gënjeshtra, nga ana tjetër, i ndan këto aspekte, duke krijuar konfuzion e keqkuptime.

Ndërmjet shumë lidhjeve kulturore, që e karakterizojnë jetën tonë, interneti dhe media janë bërë "mundësi e jashtëzakonshme për dialog, takim dhe shkëmbim ndërmjet njerëzve, si dhe për informacion e njohuri" (Papa Françesku, Christus Vivit, 87). Megjithatë, këto mjete bëhen të paqarta kur sundohen nga logjika dhe interesat tregtare, që i rrënojnë marrëdhëniet tona. Në këtë drejtim, Papa Françesku kujtoi se ndonjëherë "mekanizmat e komunikimit, reklamimit dhe rrjeteve sociale mund të përdoren për të na vënë në gjumë e për të na bërë të varur nga konsumi" (Christus Vivit, 105). Pastaj marrëdhëniet tona bëhen të ngatërruara, të pezulluara, të paqëndrueshme. Kur mjeti sundon mbi njeriun, njeriu bëhet mjet: po, një instrument tregu, një mall më vete. Vetëm marrëdhëniet e sinqerta dhe lidhjet e qëndrueshme ndihmojnë historitë e jetës së mirë.

Të dashur miq, çdo njeri e dëshiron natyrshëm këtë jetë të mirë, ashtu si mushkëritë dëshirojnë ajrin, por sa e vështirë është ta gjesh atë! Shekuj më parë, Shën Augustini e kuptoi dëshirën e thellë të zemrave tona, ndonëse pa i njohur përparimet teknologjike të sotme. Edhe ai kaloi  rini të trazuar: por nuk ishte i kënaqur, nuk e heshti britmën e zemrës. Kërkoi të vërtetën që nuk mashtron, e bukurinë, që nuk kalon. Si e gjeti? Si e gjeti  miqësinë e sinqertë, dashurinë e aftë për të dhënë shpresë? Duke u takuar me atë që tashmë e kërkonte: Jezu Krishtin. E si e ndërtoi të ardhmen e tij? Duke e ndjekur Atë, mikun e tij të përjetshëm. Ja fjalët e tij: "Asnjë miqësi nuk është besnike, përveçse në Krishtin. Vetëm në Të mund të jetë e lumtur dhe e përjetshme" (Kundër Dy Letrave të Pelagianëve, I, I, 1); "e e do vërtet mikun e tij, ai që e do Zotin në mikun e tij" (Predikimi 336). Miqësia me Krishtin, që është themeli i fesë, nuk është vetëm ndihmë, ndërmjet shumë të tjerave, për ndërtimin e së ardhmes: është ylli ynë udhërrëfyes. Siç shkroi i Lumi Pier Giorgio Frassati, "Të jetosh pa fe, pa  trashëgimi për të mbrojtur, pa mbështetur një luftë për të Vërtetën, nuk do të thotë të jetosh, por të sigurosh jetesën" (Letra, 27 shkurt 1925). Kur marrëdhëniet tona pasqyrojnë këtë lidhje të fortë me Jezusin, ato sigurisht bëhen të sinqerta, bujare, të vërteta.

  (@Vatican Media)

Pyetja 2 – Guximi për të zgjedhur, bërë nga Gaia, 19 vjeç, italiane

Atë i Shenjtë, vitet tona janë të shënuara nga vendimet e rëndësishme që jemi të thirrur të marrim për të orientuar jetën tonë të ardhshme. Megjithatë, klima e pasigurisë që na rrethon na tundon t’i shtyjmë gjërat, e frika nga e ardhmja e panjohur, na paralizon. E dimë se zgjedhja është e barabartë me heqjen dorë nga diçka, e kjo na pengon. Por pavarësisht nga gjithçka, ne perceptojmë se shpresa tregon qëllime të arritshme, edhe nëse janë të shënuara nga pasiguria e çastit të tanishëm.

Atë i Shenjtë, ju pyesim: ku mund ta gjejmë guximin për të zgjedhur? Si mund të jemi të guximshëm dhe ta jetojmë aventurën e lirisë së vërtetë, duke bërë zgjedhje radikale dhe kuptimplote?

Zgjedhja është akt themelor njerëzor. Duke e vëzhguar me kujdes,  e kuptojmë se nuk është vetëm çështje për të zgjedhur diçka, por edhe çështje për të zgjedhur dikënd. Kur zgjedhim, në kuptim të thellë, vendosim se kush duam të bëhemi. Zgjedhja par excellence është vendimi për jetën tonë: çfarë lloj burri dëshiron të jesh? E çfarë lloj gruaje dëshiron të jesh? Të dashur të rinj, ne mësojmë të zgjedhim përmes sprovave të jetës, e, para së gjithash, duke kujtuar se jemi zgjedhur. Kjo kujtesë duhet të thellohet dhe  të edukohet. Ne e morëm jetën falas, pa e zgjedhur! Në zanafillën e vetë qenies sonë, nuk kishte ndonjë vendim tonin, por një dashuri, që na deshi. Gjatë gjithë jetës sonë, një mik i vërtetë është ai, i cili   na ndihmon ta njohim dhe ta ripërtërijmë këtë hir në zgjedhjet, që thirremi t’i bëjmë.

Të dashur të rinj, ju keni thënë me të drejtë: "Zgjedhje do të thotë edhe të heqësh dorë nga diçka tjetër, e kjo ndonjëherë na pengon". Për të qenë të lirë, duhet të fillojmë nga një themel i qëndrueshëm, nga shkëmbi, që mbështet hapat tanë. Ky shkëmb është dashuria, që na paraprin, na mahnit dhe na tejkalon pafundësisht: dashuria e Zotit. Prandaj, para Tij, zgjedhja bëhet gjykim, që nuk na heq asnjë të mirë, por gjithmonë na prin në atë që është më e mira!

Guximi për të zgjedhur vjen nga dashuria që na tregon Zoti në Krishtin. Është Ai që na deshi me gjithë vetveten, duke shpëtuar botën dhe duke na treguar kështu se dhurata e jetës është rruga drejt përkryerjes sonë personale. Për këtë arsye, takimi me Jezusin përkon me dëshirat më të thella të zemrës sonë, sepse Ai është Dashuria e Zotit bërë njeri.

Lidhur me këtë, njëzet e pesë vjet më parë, pikërisht këtu ku jemi, Shën Gjon Pali II pati thënë: "Është Jezusi që kërkoni, kur ëndërroni lumturinë; është Ai që ju pret, kur asgjë nuk ju kënaq; është bukuria, që ju tërheq kaq shumë; është Ai që ju provokon me atë etje për radikalitet; Ai, që nuk ju lejon të pranoni kompromis; është Ai që ju shtyn të hiqni maskat, të cilat e bëjnë jetën të rreme; Ai, që lexon në zemrën tuaj vendimet më të vërteta, të cilave të tjerët do të dëshironin t’ua merrnin frymën" (Vigjilje Lutjeje për Ditën e 15-të Botërore të Rinisë, 19 gusht 2000). Frika pastaj ia lë vendin shpresës, sepse jemi të sigurt se Zoti e çon deri në fund, atë që filloi. Ne e njohim besnikërinë e Tij në fjalët e atyre që e duan vërtet, sepse u deshën vërtet. "Ti je jeta ime, o Zot": këtë  e shqipton një prift e një grua  e shuguruar, plot gëzim e liri. "Po të pranoj si nusen time - e burrin tim": kjo është fraza që e shndërron dashurinë e një burri e të një gruaje në shenjë të frytshme të dashurisë së Zotit. Ja, zgjedhjet radikale dhe kuptimplote: martesa, urdhrat e shenjtë dhe përkushtimi fetar, shprehin dhuratën e lirë dhe çliruese të vetvetes, që na bën vërtet të lumtur. Këto zgjedhje i japin kuptim jetës sonë, duke e shndërruar në figurën e Dashurisë së përkryer, që e krijoi dhe e shëlboi nga çdo e keqe, madje edhe nga vdekja. E them këtë duke menduar për dy vajza, Marien, njëzetvjeçare nga Spanja, dhe Paskalen, tetëmbëdhjetëvjeçare nga Egjipti. Të dyja vendosën të vinin në Romë për Jubileun e Rinisë, por vdekja ua ndërpreu jetën këto ditë. Të lutemi së bashku për to, shtegtare shprese; të lutemi për familjarët, miqtë dhe për bashkësitë e tyre. Jezusi i Ringjallur i pranoftë në paqen dhe në gëzimin e Mbretërisë së tij. E, të lutemi edhe për një djalë spanjoll, Ignacio Gonzalvez, i cili është shtruar në spitalin Bambino Gesù.

  (@Vatican Media)

 Pyetja 3 – Thirrja e Mirësisë dhe Vlera e Heshtjes, bërë nga Will, 20 vjeç, nga SHBA

Atë i Shenjtë,  tërhiqemi nga jeta e brendshme edhe nëse që në shikimin e parë gjykohemi si sipërfaqësorë dhe të shkujdesur. E ndiejmë thellë brenda vetes thirrjen për bukurinë dhe mirësinë, si burim të së vërtetës. Vlera e heshtjes, si në këtë Natë, na magjeps, edhe nëse nganjëherë mbjell frikë për shkak të ndjesisë së boshllëkut.

Atë i Shenjtë, ju pyes: si mund ta takojmë vërtet Zotin e Ngjallur në jetën tonë dhe të jemi të sigurt për praninë e tij edhe në mes të vështirësive e pasigurive?

Pikërisht në fillim të Dokumentit, me të cilin shpalli Jubileun, Papa Françesku shkroi se "në zemrën e çdo njeriu ka shpresë si dëshirë e si pritje për të mirën" (Spes non confundit, 1). "Zemër", në gjuhën biblike, do të thotë "ndërgjegje": meqenëse çdo njeri e dëshiron të mirën në zemrën e tij, nga ky burim gurron shpresa për ta mirëpritur atë. Por çfarë është "e mira"? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na duhet një dëshmitar: dikush që na bën mirë. Edhe më tej, na duhet dikush që është e mira jonë, duke dëgjuar me dashuri dëshirën që na ngjall në ndërgjegjen tonë. Pa këta dëshmitarë, nuk do të kishim lindur, as nuk do të ishim rritur në mirësi: si miq të vërtetë, ata mbështesin dëshirën tonë të përbashkët për të mirën, duke na ndihmuar ta realizojmë në zgjedhjet tona të përditshme.

Të dashur të rinj, miku që shoqëron gjithmonë ndërgjegjen tonë është Jezusi. A doni vërtet të takoni Zotin e Ngjallur? Dëgjoni fjalën e tij, që është Ungjilli i shëlbimit! Kërkoni drejtësinë, duke ripërtërirë mënyrën tuaj të jetës, për të ndërtuar një botë më njerëzore! Shërbejini të varfërve, duke dëshmuar të mirën, që dëshirojmë gjithmonë ta marrim nga i afërmi ynë! Adhuroni Eukaristinë, burimin e jetës së amshuar! Studioni, punoni dhe doni në stilin e Jezusit, Mësuesit të mirë, që ecën gjithmonë pranë nesh.

Në çdo hap, ndërsa kërkojmë të mirën, t'i kërkojmë Atij: Rri me ne, o Zot (krh. Luka 24:29)! Rri me ne, sepse pa Ty nuk mund ta bëjmë të mirën, që dëshirojmë. Ti dëshiron të mirën tonë; Ti je e mira jonë. Ata që të takojnë, dëshirojnë që edhe të tjerët të të takojnë, sepse fjala Jote është dritë, më e ndritshme se çdo yll, që ndriçon edhe natën më të errët. Siç i pëlqente të përsëriste Papës Benedikti XVI, ata që besojnë nuk janë kurrë vetëm. Prandaj, ne e takojmë vërtet Krishtin në Kishë, domethënë në bashkësinë e atyre që vetë Zoti i mbledh rreth vetes për të takuar, gjatë gjithë historisë, çdo njeri, që e kërkon sinqerisht. Sa shumë ka nevojë bota për misionarë të Ungjillit, dëshmitarë të drejtësisë dhe të paqes! Sa shumë ka nevojë e ardhmja për burra e gra, dëshmitarë të shpresës! Kjo, të dashur të rinj, është detyra që na beson Zoti i Ngjallur!

Në këtë angazhim të vazhdueshëm, siç shkroi Shën Augustini: "Njeriu, një grimcë e krijimit tënd, o Zot, dëshiron të të lavdërojë. Je Ti që e frymëzon të kënaqet duke të lavdëruar, sepse na krijove për veten tënde, e zemra jonë nuk ka paqe, derisa të pushojë në Ty. Më lërë të të kërkoj, o Zot, duke të thirrur, e lemë të të thërras, duke besuar në ty" (Rrëfime, I). Duke ia shtuar këtë thirrje pyetjeve tuaja, të dashur të rinj, ju besoj një lutje:

“Faleminderit, Jezus, që na arrite: dëshira ime është të rri ndërmjet miqve të tu, në mënyrë që, duke të përqafuar Ty, të bëhem shoqërues në udhëtim për të gjithë ata që më takojnë. Bëj, o Zot, që kushdo më takon - të të takojë Ty, edhe përmes kufizimeve të mia, edhe përmes ligështive të mia”. Përmes këtyre fjalëve, dialogu ynë do të vazhdojë sa herë që shikojmë Kryqin: në Të do të takohen zemrat tona. Prandaj, ngulmoni në fe, me gëzim e guxim. Faleminderit!

  (ANSA)
02 gusht 2025, 22:36