Të shtëna në një shkollë katolike në SHBA: vriten dy fëmijë. Dhimbja e Papës
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV mori "me trishtim të thellë, lajmin për të shtënat në Kishën e Lajmërimit, në Minneapolis”. Kështu lexohet në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, dërguar nga Papa Kryeipeshkvit të Shën Palit, në Minneapolis, SHBA, Imzot Bernard Hebda. Aktualisht, bilanci i tragjedisë është dy vdekje - të dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç - dhe 17 të plagosur. Ndërmjet tyre, 14 fëmijë. Shtatë, në gjendje të rëndë. Burri, që hapi zjarr, duke qëlluar përmes dritareve drejt fëmijëve të ulur në stolat e Kishës gjatë Meshës, kremtuar brenda kompleksit shkollor, thuhet se më vonë i mori jetën vetes.
Lutje për ata që vajtojnë "humbjen e fëmijëve"
Papa, thuhet në tekst, "u shpreh ngushëllimet e tij më të thella njëherësh me afërsinë shpirtërore, të gjithë atyre që u prekën nga kjo tragjedi e tmerrshme", veçanërisht familjet "në zi për humbjen e fëmijës". Papa Leoni XIV "ia beson shpirtrat e fëmijëve të ndjerë dashurisë së Zotit të Gjithëpushtetshëm dhe siguron lutjet e tij "për të plagosurit, si dhe për shpëtimtarët, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe anëtarët e klerit, që kujdesen për ta dhe të dashurit e tyre".
Bekim për bashkësinë vendase
Telegrami përfundon me Bekimin Apostolik dhënë nga Papa Leoni XIV për bashkësinë e Shkollës Katolike të Ungjillëzimit, për Kryeipeshkvninë e Shën Palit e Minneapolis si dhe për mbarë banorët e zonës metropolitane të Twin Cities, si "premtim paqeje, force dhe ngushëllimi në Zotin Jezus".