Shtytja e Papës, shpresoj për rezultat të suksesshëm të negociatave
R.SH. / Vatikan
E djeshmja ishte ditë e ngarkuar me veprimtari për Papën Leoni. Paradite kremtoi Meshën në shenjtëroren e vogël Santa Maria della Rotonda, në Albano e, pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, drekoi me mbi njëqind vetë, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e Caritasit si dhe vullnetarët.
Por në qendër të shqetësimeve të tij mbetet gjithnjë paqja.
"Të lutemi që përpjekjet për t'i dhënë fund luftërave dhe për t’i hapur udhën paqes të jenë të suksesshme, në mënyrë që e mira e përbashkët e popujve të jetë gjithmonë në vend të parë gjatë bisedimeve", theksoi Papa në fund të lutjes mariane, duke menduar për atë rrjet takimesh ndërmjet Alaskës dhe Uashingtonit, e sot edhe ndërmjet Uashingtonit, Ukrainës dhe BE-së, e duke filluar të shpresojë për fundin e luftës në Ukrainë. Edhe në predikimin e Meshës, Papa theksoi se "as zjarri i armëve, e as ai i fjalëve që djegin të tjerët", nuk janë të nevojshme.
Përkundrazi, ne duhet ta vëmë veten në shërbim të të tjerëve për të "ripërtërirë botën".
Ndërkohë, Selia e Shenjtë vazhdon punën e saj, atë "diplomaci të butë" për të cilën foli vetë Papa disa ditë më parë. Është stili i Vatikanit, që nuk ka armë, nuk ka territore apo interesa për të mbrojtur, megjithatë mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi vendet. Kjo punë diplomatike e vazhdueshme përfshin jo vetëm misionin humanitar, si në Ukrainë, por edhe ofertën e territorit të tij neutral për bisedime të mundshme. Gatishmëria për të hapur dyert e shtetit të vogël e për të pritur bisedime paqeje mbetet e konfirmuar, por këtë duhet ta duan palët, ndërsa Moska e ka mbyllur gjithnjë vazhdimisht këtë mundësi.
Mbetet angazhimi i plotë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve sa më shumë që të jetë e mundur. Papa Françesku e nisi këtë mision duke lehtësuar kthimin e fëmijëve ukrainas të ngujuar në Rusi dhe shkëmbimin e listave të të burgosurve. Papa Leoni e ka marrë dëshmitarin dhe vazhdon punën, siç thekson Kardinali ukrainas Mykola Bychok. "Jam i bindur se Leoni XIV do të bëjë gjithçka është e mundur për të ndaluar armiqësitë dhe për të ndihmuar vendin tonë" - i tha ai me besim gazetës së ipeshkvijve. "Është e qartë se Papa, si i gjithë kombi ynë, dëshiron paqe. Që nga fillimi i pushtimit, Selia e Shenjtë bëri dhe vazhdon të bëjë shumë për të mbështetur popullsinë. Kjo përfshin lutje të vazhdueshme, thirrje të shpeshta, ndihmë humanitare dhe shumë veprime të tjera që mbeten të panjohura për publikun. Papa Leoni po dyfishon përpjekjet e tij, siguron Kardinali Bychok, i cili ka pasur disa takime me Papën kohët e fundit
I njëjti angazhim për paqen është i dukshëm edhe në zona të tjera konflikti, duke filluar nga Lindja e Mesme. Ndërsa Selia e Shenjtë ka bërë vazhdimisht thirrje për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve, gjatë muajve të fundit është rritur shqetësimi për Gazën, ku situata humanitare është e tmerrshme.
E tani ekziston edhe spektri i evakuimit, i cili mund të ndikojë edhe në famullinë e Gazës, me pesëqind banorët e saj që jetuan për gati dy vjet në rektorat, mbasi kanë humbur gjithçka kishin, veç shpirtit!