Pesë vjet nga shpërthimi në portin e Bejrutit, Papa lutet për viktimat
R.SH. – Vatikan
Me një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e 5-vjetorit të shpërthimit në portin e Bejrutit në vitin 2020, Papa Leoni XIV shpreh "dhembshurinë e tij për të gjithë ata, që u janë thyer zemrat" dhe "që po vuajnë nga humbja e të afërmve, si dhe për ata, që janë "plagosur, ose që kanë humbur gjithçka si rezultat i kësaj katastrofe".
Shpërthimi në port
Më 4 gusht 2020 - ditë e errët për popullin libanez - qindra ton eksploziv shpërthyen në një depo në portin e Bejrutit, duke shkaktuar 235 të vdekur dhe më se 6.500 të plagosur, përveç shkatërrimit të lagjeve të tëra të kryeqytetit libanez. Të dielën, më 3 gusht, pesë vjet pas kësaj tragjedie, besimtarët e krishterë u mblodhën në një vigjilje lutjeje për viktimat, gjatë së cilës u bekuan 235 pemë ulliri në përkujtim të të ndjerëve. U paraqitën disa dëshmi. Gjatë kësaj lutjeje, u lexua edhe mesazhi i Atit të Shenjtë nga nunci apostolik në Liban, imzot Paolo Borgia.
Shpresa e krishterë
Papa Leoni XIV siguron "afërsinë e tij shpirtërore dhe bashkimin në lutje". Ai fton të meditohet qëndrimi dhe fjalët e Krishtit pas vdekjes së mikut të tij Lazrit, të cilin e urdhëroi të ngrihej nga varri. "Shpresa e krishterë gjen këtu sigurinë se Krishti është Zoti i jetës dhe se vdekja nuk e ka dhe nuk do ta ketë kurrë fjalën e fundit: Jezusi është Shpëtimtari ynë", thekson Ati i Shenjtë.
Dashuria e Papës
Nëse, përballë misterit të vdekjes dhe të vuajtjes, "mbetemi si të zhytur në errësirë", nënvizon më tej, "Zoti na jep dritën e fesë! Është shpresa jonë përballë vdekjes". Pastaj shton se për besimtarët, që nga pagëzimi, është hapur një portë në Shtëpinë e Atit, ku "vetë Zoti na pret". Ipeshkvi i Romës i fton libanezët të shohin me besim drejt Parrizit: "atje është Zoti, Ati ynë". Leoni XIV shpreson me gjithë shpirt që të gjithë ta ndiejnë dashurinë e tij, si edhe atë të të gjithë Kishës.
Lutje për viktimat
Papa falënderon ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, që i qëndrojnë pranë popullit, duke e ndihmuar të ecë përpara me shpresë, pavarësisht nga sprovat. Së fundi, i lutet Atit të mëshirshëm Qiellor t’i pranojë viktimat në shtëpinë e tij dhe ia beson çdo libanez mbrojtjes dhe ndërmjetësimit amnor të Virgjërës Mari, të Shën Sharbelit dhe të shenjtorëve të tjerë libanezë.