Papa: të ndalohet "pandemia e armëve", lutje për fëmijët e vrarë në Minesota
R.SH. / Vatikan
Në gjuhën e tij amtare, anglisht, Papa Leoni XIV, në fund të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, bëri një thirrje të fortë për të ndaluar plagën e përhapur të përdorimit pa dallim të armëve. Shtytjen e mori nga tragjedia që ndodhi në vendin e Papës kur, më 27 gusht, në shtetin amerikan të Minesotës, një i ri hapi zjarr gjatë Meshës, para fillimit të mësimit, duke vrarë dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç dhe duke plagosur 15 të tjerë, përpara se t’ia merrte jetën edhe vetes.
Papa na fton të lutemi për këto viktima të reja dhe për të gjithë fëmijët e pafajshëm që vdesin çdo ditë.
Lutjet tona u kushtohen viktimave të të shtënave tragjike në shkollë, që ndodhën gjatë Meshës në shtetin amerikan të Minesotës. T’i përfshijmë në lutjet tona edhe fëmijët e panumërt, që vrien e plagosen çdo ditë në mbarë botën.
Pandemia e Armëve
Papa Leoni kujtoi edhe pandeminë me barrën e saj të shqetësimit, ankthit dhe ngjitjes kur i bëri thirrje Zotit t'i japë fund përhapjes së armëve në mbarë botën.
I lutemi Zotit ta ndalojë pandeminë e armëve, të mëdha dhe të vogla, që infektojnë botën tonë. Nëna jonë Mari, Mbretëreshë e Paqes, na ndihmoftë të përmbushim profecinë e Isaisë: "Do t'i farkëtojnë shpatat e tyre e do t’i kthejnë në plugje, e heshtat e tyre, në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën”
Afërsia e Papës
Në të njëjtën ditë që ndodhi incidenti, Papa i dërgoi një telegram të nënshkruar nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Kryeipeshkvit të Shën Palit e Minneapolis, Bernard Hebda, në të cilin shprehu "trishtimin e tij të thellë". Më pas dërgoi edhe "ngushëllimet e tij më të thella, njëherësh me sigurinë e afërsisë së tij shpirtërore", veçanërisht ndaj familjeve që vajtojnë humbjen e një fëmije. Papa, më pas, ia besoi "shpirtrat e fëmijëve të ndjerë dashurisë së Zotit të Gjithëpushtetshëm".