Papa shpreh hidhërimin e tij për migrantët, që u mbytën në brigjet e Jemenit
R.SH. – Vatikan
Papa shpreh hidhërimin e tij të thellë pas mbytjes së një anijeje me emigrantë në brigjet e Jemenit, gjatë orëve të fundit. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar nuncit apostolik në Jemen, kryeipeshkvit Christophe Zakhia El-Kassisper, Leoni XIV, "ia beson emigrantët e shumtë, që kanë humbur jetën, mëshirës plot dashuri të Zotit të Gjithëpushtetshëm". Ai i lutet Hyjit edhe t’u japë "forcë, ngushëllim dhe shpresë" të mbijetuarve, punonjësve të emergjencës dhe "të gjithë atyre, që preken nga kjo tragjedi".
Rruga e vdekjes
Vendi ku ndodhi katastrofa bën pjesë prej kohësh në të ashtuquajturën "rruga e vdekjes", më e rrezikshmja në botë sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. Gjiri i Adenit është portë për anijet e trafikantëve, që arrijnë në Arabinë Saudite dhe në monarkitë e tjera të pasura në zonë, të cilat pranojnë punëtorë të huaj. Kalojnë në të veçanërisht somalezë dhe etiopas e, pikërisht nga Etiopia vinin edhe 76 viktimat e mbytjes së fundit dramatike të një anijeje, më 3 gusht, shkaktuar nga moti i keq. Dhjetra nga 157 njerëzit në bord ende nuk janë gjetur e të shpëtuarit, deri tani, janë vetëm 32. Ky kalim, përmes Jemenit, vazhdon të përdoret rregullisht, pavarësisht nga konflikti dhjetëvjeçar, që ka tronditur vendin më të varfër në Gadishullin Arabik.