MAP

Papa: lutjuni Zotit t'u dhurojë paqe të gjithë atyre që jetojnë luftën

Përshëndetje nga Papa drejtuar miqve nga të katër anët e botës, mbedhur rreth Tij, pa pyetur fare për rrezet përvëluese të diellit. Papa u kërkoi besimtarëve: lutjuni Zotit t'u japë paqe të gjithë popujve që po jetojnë tragjedinë e luftës

R.SH. / Vatikan

Një përshëndetje "e veçantë" nga Papa gjatë audiencës së sotme të përgjithshme - për grupet nga Anglia, Hungaria, Malta, Kenia, Afrika e Jugut, Uganda, Zambia, India, Indonezia, Iraku, Jerusalemi, Filipinet, Vietnami, Barbadosi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 "Ndërsa përgatitemi të festojmë Solemnitetin e Ngjitjes së Marisë në Qiell, më 15 gusht, po ia besoj ju dhe familjet tuaja kujdesit të butë të Zonjës sonë të Bekuar. Përmes ndërmjetësimit të saj, u forcofshi në ligshtitë tuaja, u ngushëllofshi në provat tuaja dhe gëzofshi paqen e Jezu Krishtit, Birit të saj. Zoti ju bekoftë".

Më pas, në përfundim të audiencës së përgjithshme, përshëndetja e Papës Leoni XIV, drejtuar besimtarëve anglishtfolës. E edhe besimtarëve nga Iraku e nga Toka e Shenjtë, me ftesën e krishterë: 

“T'ia hapim zemrat tona Zotit, i cili nuk pushon kurrë së na dashuri, pavarësisht nga dobësitë tona, duke na dhuruar gjithmonë një mundësi të re për të nisur nga e para. Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe ju mbroftë gjithmonë nga çdo e keqe!"

Këto ishin fjalët e Papës Leoni XIV në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, duke përshëndetur edhe besimtarët e gjuhës arabe.

Zoti u dhëntë paqe të gjithëve

Ndërsa në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, Papa kujtoi figurën e Shën Maksimilian Maria Kolbes, françeskanit që dhuroi jetën në kampin e përqendrimit të Aushvicit, për të shpëtuar një atë fëmijësh:

"Ju inkurajoj të merrni si shembull qëndrimin e tij heroik të flijimit për të tjerët. Me ndërmjetësimin e tij, lutjuni Zotit t'u japë paqe të gjithë popujve që po jetojnë tragjedinë e luftës”- kërkoi Papa.

13 gusht 2025, 13:10