Papa përqafon familjen e Injacit. Prindërit e tij: "Të ngushëlluar në dhimbje"
R.SH. – Vatikan
Po luteshin të gjithë në repartin e terapisë intensive - Pedro Pablo, Carmen Gloria, Pedro Pablo Jr. dhe Adela - për Injacin e tyre, këtë bir dhe vëlla, që aktualisht duket se është në orët e fundit të jetës. Kur, papritmas, mbërriti në spitalin Bambino Gesù, Papa Leoni XIV, që shkoi për të vizituar personalisht djalin pesëmbëdhjetëvjeçar spanjoll, për të cilin u kërkoi lutje edhe të rinjve në Tor Vergata, në mbrëmjen e Jubileut të Rinisë. Ati i Shenjtë ngushëlloi edhe familjen, të mallëngjyer e të emocionuar për valën e solidaritetit e të afërsisë pas thirrjes së Papës.
Kush është familja e Injacit
Injaci është në gjumë, nuk sheh as dëgjon asgjë. Është i sëmurë me limfomë, që i prek aparatin e frymëmarrjes; një situatë shumë delikate, që sjell frikën jo vetëm nga vdekja, por edhe nga vuajtja. Prindërit, vëllai 24-vjeçar dhe motra 17-vjeçare ka ditë, që rrinë zgjuar, që kur djali, i cili erdhi në Jubile me bashkësinë e tij neokatekumenale nga Spanja, pati një si lloj “shpërthimi” në gjoks katër ditë më parë, prandaj, u shtrua urgjentisht në spitalin pediatrik, i vetmi i Selisë së Shenjtë.
"Jemi bërë për Qiellin"
Papa kaloi rreth gjysmë ore me familjen përpara se të vizitonte disa pacientë në repartin e onkologjisë dhe të takohej individualisht me pacientë të tjerë të rinj dhe me personalein e spitalit. Me familjen Gonzálvez, Leoni XIV tha lutjen "Falemi Mari" dhe "Atynën", u dha secilit prej tyre bekimin dhe foli për Ungjillin, jetën e amshuar dhe vullnetin e Zotit. U tha: “Jemi bërë për Qiellin". I ati i djalit, Pedro Pablo, pohon në telefon me mediat e Vatikanit se Ati i Shenjtë "u tha se gjëja e rëndësishme është të bëjmë vullnetin e Zotit, se vendi ynë i vërtetë është jeta e amshuar në Qiell. Kjo na ngushëlloi, sepse ne jemi njerëz, që përpiqemi ta jetojmë fenë dhe e dimë se kjo është e vërtetë. E, në çastet kur dikush vuan kaq shumë, të dëgjosh Papën kur vjen e të thotë një fjalë të tillë është... gjëja më e mirë që mund të na kishte ndodhur".