MAP

Një imazh i Shën Françeska Romana, bashkëmbrojtëse qiellore e Romës Një imazh i Shën Françeska Romana, bashkëmbrojtëse qiellore e Romës

Papa: "Shën Françeska Romake një fener që ndriçon besimtarët"

Në një mesazh drejtuar Murgeshave të Manastirit Tor de' Specchi, në zemër të Romës, me rastin e gjashtëqindvjetorit të KUshtimit Zotit të Shën Françeskës Romana, së themelueses së tyre, shenjtes bashkëpajtore qiellore të Romës, Papa Leoni XIV i fton të vazhdojnë angazhimin për të qenë "shkollë bamirësie aktive, gurrë përshpirtërie dhe ideal i dhurimit të vetvetes Krishtit dhe Kishës".

R.SH. / Vatikan

“Prania juaj si Manastir ‘i hapur’ në zemër të Qytetit të Amshuar, Romës, qoftë vazhdim i shenjtërisë së Nënës Themeluese, e cila u angazhua ‘ta rilindë Krishtin në botë’" me dëshminë e saj të fesë e iu bind "udhëheqjes së Engjëjve". Ajo punoi "për unitetin e Kishës" përmes lutjes dhe veprimit.

Kjo, ftesa që Papa Leoni XIV u drejtoi Motrave Oblate të Shën Françeskës Romake të Tor de' Specchi, në një mesazh dërguar me rastin e gjashtëqindvjetorit të Kushtimit të jetës së Shenjtes Françeska Romana Zotit. Më 15 gusht 1425, në Solemnitetin e Ngjitjes së Zojës në Qiell, kujtoi Papa, Shën Françeska Romana, "pas një jete të jetuar si grua dhe nënë shembullore, së bashku me nëntë shoqet e saj të para, bëri betimin solemn, duke iu kushtuar Zotit në shërbim të përulur dhe të përkushtuar ndaj atyre që prekeshin nga varfëria njerëzore dhe shpirtërore e kohës së saj".

Një shkollë bamirësie aktive e një burim përshpirtërie

Ato ishin një grup i vogël grash nga familjet më të pasura dhe më të begata të fisnikërisë së re të Romës, të cilat, ndërsa vazhdonin të jetonin në shtëpitë e tyre, u angazhuan, përmes ofertës, në një jetë më të përsosur të krishterë, përmes sakramenteve të shpeshta, pendesës dhe veprave të bamirësisë. Gjatë këtyre gjashtë shekujve, vazhdon Leoni XIV, familja rregulltare e themeluar në vitin 1433, e frymëzuar nga Rregulli i "atit të madh të monasticizmit perëndimor, Shën Benediktit", qe "shkollë bamirësie aktive, burim përshpirtërie dhe ideali të vetë-dhurimit ndaj Krishtit dhe Kishës". Prania e tyre na kujton se “Bota vijon të ketë nevojë për gra ‘të apasionuara pas Ungjillit".

Ka nevojë për gra "të apasionuara pas Ungjillit"

Për Leonin XIV Shën Françeska Romana, e cila me apostujt e shenjtë Pjetër dhe Pal, dhe Shën Filip Nerin është mbrojtëse qiellore e Romës, aq e dashur nga besimtarët, "vazhdon të jetë një fener që ndriçon besimtarët e çdo epoke, duke ndezur zjarrin e dashurisë së Krishtit në njeriun e sotëm". Shoqëria jonë, vazhdon Ati i Shenjtë Prevost, ka nevojë për gra si Ajo "të apasionuara pas Ungjillit" dhe, kujton duke cituar Papa Eugjenin IV në Bullën e themelimit, "zellin e tyre për Zotin, me vullnetin për t'i shërbyer të Gjithëpushtetshmit me përvujtëri dhe, aq sa është e mundur për brishtësinë e tyre njerëzore, të imitonin jetën apostolike për të fituar veten e tyre për Krishtin dhe për të jetuar në bashkësi dhe dashuri...".

Tre aspektet e shenjtërisë së Shën Françeska Romana

Tre aspektet e shenjtërisë sipas Shën Françeska Romana. I pari është zelli me të cilin Shën Françeska u angazhua “të gjeneronte Krishtin në botë dhe ta bënte të fortë dhe reale praninë e Tij me dëshminë e saj të fesë dhe shenjtërisë”. I dyti është bindja e saj “ndaj udhëheqjes së Engjëjve”, të cilën e kultivonte me lutje dhe meditim të Fjalës së Zotit. Virtyti i tretë, kujton Papa, është angazhimi “për unitetin e Kishës, për të cilin u përkushtua, me lutje dhe me veprim”. Projekti fetar i Shën Françeska Romana ishte revolucionar, sepse pajtonte idealet monastike me vlerat laike.

15 gusht 2025, 17:11