Papa në 50-vjetorin e Marrëveshjes së Helsinkit: të ngulim këmbë në dialog
R.SH. – Vatikan
Një ide, një këndvështrim, që ende hap krahët mbi Evropën, pavarësisht nga ç’ndodh, vazhdon të frymëzojë angazhimin politik dhe moral të shumë prej krerëve të saj për paqen. Është fryma e Helsinkit, përmendur nga vetë Papa Leoni XIV në fund të audiencës së përgjithshme të kësaj jave, duke kujtuar se sot, më shumë se kurrë, është themelore ta ruajmë, duke “ngulur këmbë në dialog, duke forcuar bashkëpunimin dhe duke e bërë diplomacinë rrugën e privilegjuar për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve". Kjo thirrje e re drejtuar bashkësisë ndërkombëtare u publikua nga Papa në faqen e tij në platformën X, @Pontifex.
Bastion i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Sot, Evropa kremton 50-vjetorin e Marrëveshjes së Helsinkit—e njohur edhe si Akti Final i Helsinkit—që në vitin 1975 vendosi paprekshmërinë e kufijve dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto parime janë sprovuar rëndë nga pushtimi rus në shkallë të gjerë i Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt 2022. Në atë kohë, dokumenti u nënshkrua nga 35 vende nga blloku perëndimor dhe lindor, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik të atëhershëm, gjatë Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në kryeqytetin finlandez. Në letër, marrëveshja mbetet bastion i marrëdhënieve ndërmjet shteteve, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në bashkëpunimin.
Në kuadrin e agresionit rus
Pikërisht nga ky kuadër aspiratash për bashkëjetesë paqësore, mori formë në vitin 1995 Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Me 57 shtete anëtare dhe një sërë strukturash dhe misionesh, ajo u bë një element i rëndësishëm i marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon, pas Luftës së Ftohtë. Për të festuar 50-vjetorin e Marrëveshjes së Helsinkit, Finlanda organizoi dje, më 31 korrik, një konferencë ndërkombëtare, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky - i lidhur online - dhe me Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ndër çështjet kryesore në tryezë ishin: forcimi i presionit kundër Moskës, koordinimi ndërmjet Ukrainës dhe Finlandës në kundërshtimin e agresionit rus, reformat e OSBE-së dhe të sistemit evropian të sigurisë dhe forcimi i kapacitetit mbrojtës të Kievit.