Papa: ndalni armët në Ukrainë, urinë në Gaza dhe lironi pengjet
R.SH. / Vatikan
Armëpushim dhe marrëveshje paqeje në Ukrainë, zgjidhje e krizës humanitare dhe e urisë, si dhe lirimi i pengjeve izraelitë në Gaza. Këto janë objektivat e "diplomacisë së butë" të Selisë së Shenjtë për problemet që "nuk mund të zgjidhen me luftë", dhe kjo është ajo që kërkon dhe shpreson Papa Leoni XIV, sikur pohoi me disa gazetarë, dje në mbrëmje, në mbërritjen e tij në Castel Gandolfo, ku do të kalojë një periudhë të dytë pushimi veror, deri më 19 gusht. Ndërsa përshëndeti shumë njerëz që po e presin mbërritjen e tij, para portës së rezidencës papnore në Castel Gandolfo, Papa Prevost u përgjigjet pyetjeve të disa gazetarëve mbi aktualitetin ndërkombëtar.
Duhet kërkuar gjithmonë dialogu, udha diplomatike
Në pyetjen se çfarë pret nga samiti i 15 gushtit (Ferragostos) midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, Papa Leoni XIV përgjigjet: duhet kërkuar gjithmonë "armëpushimi, duhet t'i jepet fund dhunës, me kaq shumë të vdekur. Të shohim si mund të bien dakord. Pse lufta pas kaq shumë kohësh? Cili është qëllimi?Duhet kërkuar gjithmonë dialogu, puna diplomatike dhe jo dhuna, jo armët".
Në pyetjen nëse është i shqetësuar për mundësinë e dëbimit të popullsisë së Gazës, Papa Leoni XIV thotë: "Shumë, duhet zgjidhur kriza humanitare, nuk mund të vazhdohet kështu. Ne e njohim dhunën e terrorizmit dhe respektojmë shumë ata që kanë vdekur e gjithashtu edhe pengjet, duhet të lirohen. Por edhe të mendojmë shumë për ata që po vdesin nga uria".
Probleme nuk zgjidhen me luftë
Së fundi, në pyetjen se çfarë po bën Selia e Shenjtë për të ndaluar këto dhe konflikte të tjera. Leoni XIV përgjigjet duke kujtuar se "Selia e Shenjtë nuk mund të ndalojë... por ne po punojmë, le të themi, për një '‘soft diplomacy’', gjithmonë duke ftuar, duke shtyrë për të kërkuar jo-dhunën po dialogun dhe për të kërkuar zgjidhje, sepse këto probleme nuk mund të zgjidhen me luftë".