Papa Leoni XIV- artistëve: të rinjtë duhet të gjejnë lumturinë e vërtetë
R.SH. - Vatikan
Leoni XIV takohet në Sallën Klementine me muzikantë, aktore, aktorë dhe prezantues, që do ta gjallërojnë ngjarjen e Jubileut të Rinisë në Tor Vergata. Muzika, vallëzimi dhe shumë forma të tjera artistike, theksoi Papa, janë dhurata që Zoti na ka dhënë. E edhe prania e tyre këtë pasdite "është dhuratë për të gjithë ne dhe për të gjithë Kishën".
Ndërsa mijëra të rinj kanë mbërritur tashmë në sheshin e Tor Vergatës për të jetuar dy ditët e fundit të Jubileut të tyre, nga Vigjilja me Papën këtë mbrëmje, tek Mesha përmbyllëse të dielën, Leoni XIV u takua në Sallën Klementine me muzikantët, aktoret, aktorët dhe prezantuesit që do të gjallërojnë ngjarjen para Vigjiljes, nga ora 15:00 deri në mbërritjen e Papës në skenë, që pritet rreth orës 20:00. Shoqërohen nga Kryeipeshkvi Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin që, në përshëndetjen e tij të shkurtër, kujtoi se artistët e pranishëm "do t'i gjallërojnë të rinjtë tanë, tashmë në shtegtim, disa prej të cilëve kanë mbërritur tashmë".
Muzika, vallja, arti: dhurata të Zotit
Ishte një takim i vogël që Papa, duke folur lirisht, e quajti “familjar” e që e kërkoi vetë sot në mëngjes, duke njohur "bukurinë, artin, muzikën, të gjitha talentet, që të rinjtë ia ofrojnë kësaj audience të madhe, në Romë këto ditë". Ndoshta një milion të rinj - theksoi - të cilët kanë ardhur nga shumë vende të botës. "Për mua, është privilegj, është bekim"- shtoi Papa Leoni XIV, "që mund të marr pjesë në këtë mision, në këtë shërbim, si Ipeshkëv i Romës, si Atë i Shenjtë".
Duke njohur, mbi të gjitha, fenë, entuziazmin dhe gëzimin, që do t’i ndajmë e që i japin zë asaj që kemi në zemrat tona e që është, mbi të gjitha, dëshira për të gjetur lumturi, gëzim, dashuri e për ta përjetuar fenë edhe përmes dhuratave që na dha Zoti: muzikës, vallëzimit dhe formave të shumta artistike që do t’i ndani me të rinjtë këtë pasdite. Është vërtet një dhuratë për të gjithë ne e edhe për të gjithë Kishën.
Gëzimin e vërtetë e gjejmë në Jezusin
Falënderimi i Leonit XIV për artistët e Vigjiljes Rinore përfundoi me një lutje:
“I lutem Zotit t'ju bekojë dhe t'ju ndihmojë t’i shoqëroni këta të rinj që gjithashtu kanë kaq shumë nevojë të gjejnë gëzimin e vërtetë, lumturinë e vërtetë, të cilën të gjithë e gjejmë në Jezu Krishtin”.