Papa: krishterimi nuk është devocion privat, por angazhim për një botë më të drejtë e vëllazërore
R.SH. - Vatikan
Jo "përkushtim i thjeshtë privat", por "mënyrë jetese në shoqëri përplot me dashuri për Zotin dhe për të afërmin tonë i cili, në Krishtin, nuk është më armik, por vëlla": ky është Krishterimi, dhe Papa Leoni XIV ua kujton qartë rreth dyzet anëtarëve të delegacionit të përfaqësuesve politikë dhe figurave qytetare nga Val de Marne, në dioqezën franceze të Créteil, që i priti në audiencë në mëngjesin e sotëm, e enjte, 28 gusht. Duke iu drejtuar të pranishmëve në frëngjisht - i shoqëruar nga Ipeshkvi Dominique Blanchet - Papa u kujtoi se "përballë të gjitha llojeve të teprimeve" në shoqëritë perëndimore, të krishterët duhet "t’i kthejnë sytë nga Krishti" për të kërkuar ndihmën e tij në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
Një shekullarizëm i keqkuptuar e vë në rrezik të vërtetën
Ipeshkvi i Romës pohon se është "i vetëdijshëm" për këto përgjegjësi: për vështirësinë e "veprimit dhe vendimmarrjes në përputhje me besimin e dikujt" për shkak të "një shekullarizmi që ndonjëherë keqkuptohet"; për kompleksitetin e ndjekjes së "një angazhimi të hapur të krishterë" në disa shoqëri perëndimore ku "Krishti dhe Kisha e tij lihen mënjanë, shpesh injorohen e ndonjëherë edhe tallen". Pa përmendur "presionet, direktivat partiake dhe kolonizimet ideologjike" - vijoi Leoni XIV, duke cituar paraardhësin e tij, Françeskun - të cilave politikanët u nënshtrohen. Përballë të gjitha këtyre, Papa thekson, "nevojitet guximi për të thënë, ndonjëherë, 'Jo, nuk mundem!'", veçanërisht kur "e vërteta është në rrezik".
Ta dëshmojmë Jezusin në jetën publike
Prandaj, Papa i ofroi delegacionit francez një këshillë: bashkohuni gjithnjë e më ngushtë me Jezusin, jetoni prej Tij dhe dëshmoni për Të, sepse një figurë publike nuk mund të ndahet: "Nuk është politikani në njërën anë, i krishteri në anën tjetër", por përkundrazi "është politikani i cili, nën vështrimin e Zotit dhe ndërgjegjes së tij, i jeton angazhimet dhe përgjegjësitë krishterisht".
Mos kini frikë të propozoni e të mbroni doktrinën e Kishës
Prej këndej, kujtesa ndaj doktrinës së Kishës - veçanërisht doktrinës shoqërore - themelet e së cilës, theksoi Papa, janë "në harmoni me ligjin natyror" që edhe jo të krishterët dhe jobesimtarët "mund ta njohin". Prandaj, "nuk duhet të kemi frikë ta propozojmë dhe ta mbrojmë atë me bindje", pasi "është doktrinë shpëtimi që synon të mirën e çdo qenieje njerëzore, ndërtimin e shoqërive paqësore, të harmonishme, të begata dhe të pajtuara".
Të përballohen çështjet shoqërore me forcën e bamirësisë
Leoni XVI trajtoi edhe "çështjet kryesore shoqërore" të rajonit francez, duke përmendur në veçanti dhunën, pasigurinë, drogën, papunësinë dhe rënien e bashkëjetesës. Këto janë të gjitha sfida - shtoi - që udhëheqësit e krishterë janë të thirrur t'i përballojnë me "bamirësi shoqërore dhe politike", e cila të bën ta duash të mirën e përbashkët dhe të kërkosh të mirën e njerëzve". Kjo ndodh edhe sepse promovimi i vlerave, sado ungjillore, janë "të zbrazura nga Krishti", gjë që nuk e bën të mundur "ndryshimin e botës".
Angazhim për një botë më të drejtë e vëllazërore
Në përfundim, Papa dëshiron që delegacioni, në Romë për shtegtinë e Jubileut, të kthehet në angazhimet e tij të forcuara në shpresë dhe më të vendosura në punën "për të ndërtuar një botë më të drejtë, më humane, më vëllazërore", e cila nuk është gjë tjetër veçse "botë më e mbarsur me Ungjillin".