Papa: kard. Karlic, bari besnik dhe i dashuruar me Kishën
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta, të premten më 8 gusht, të kardinalit Estanislao Esteban Karlic, përmes një telegrami drejtuar monsinjor Raúl Martín, kryepeshkvit të Paranás. Kësaj dioqeze, në fakt, dhe asaj të Kordobës, prelati i ndjerë i ka shërbyer si meshtar dhe ipeshkëv. Papa, i cili deshi t’u shprehë afërsinë e tij "të gjithë atyre që janë pjesë e asaj bashkësie të dashur kishtare", kujton me vlerësim "këtë bari bujar, të drejtë dhe të ndershëm".
Një jetë bujare në shërbim të Kishës universale
"Përmes shumë detyrave dhe iniciativave pastorale në nivelin lokal, kombëtar dhe kontinental - thekson Leoni XIV -, kardinali Karlic u ofrua bujarisht në shërbim të Kishës universale, duke bashkëpunuar në hartimin e Katekizmit të Kishës Katolike". Papa falënderon Zotin "për dëshminë e tij të fesë dhe për dashurinë e tij të thellë për Kishën" dhe lutet për "prehjen e përjetshme" të shpirtit të tij, "që Zoti Jezus t'i japë kurorën e lavdisë që nuk vyshket". Ati i Shenjtë ia beson ndërmjetësimit të Zojës Rruzares shpirtin e kardinalit të ngjitur në Qiell, së bashku me bekimin apostolik, "si shenjë e shpresës së krishterë në Zotin e ngjallur".