Papa, Kalorësve të Kolombos: bamirësia juaj e çon shpresën në gjithë botën
R.SH. – Vatikan
“Shërbimi juaj bujar ndaj popullsive të varfra - përfshirë të palindurit, nënat shtatzëna, fëmijët, të prekurit nga plaga e luftës - sjell shpresë dhe shërim për shumë njerëz dhe vazhdon trashëgiminë fisnike të themeluesit tuaj.” Në një videomesazh në anglisht drejtuar Kalorësve të Kolombos, mbledhur në Uashington DC, për Takimin e tyre të 143-të të nivelit të lartë, Papa Leoni XIV vlerëson shërbimin e tyre në të gjithë botën dhe, në këtë Vit Jubilar, aftësinë e tyre për të qenë “Lajmëtarë të Shpresës”, tema e zgjedhur enkas për mbledhjen e tyre.
Kisha, bartëse e Shpresës së Krishtit
Në videon e publikuar sot, e mërkurë, 6 gusht, Papa kujton fjalët me të cilat e quante shpresën Papa Françesku - "dëshirë dhe pritje e së mirës" - duke theksuar se "si katolikë, e dimë se burimi i shpresës sonë është Jezu Krishti". Ashtu si Kisha është "e thirrur të jetë shenjë shprese përmes kumtimit të Ungjillit", ashtu edhe katolikët, "veçanërisht gjatë këtij Viti Shenjt", duhet të "jenë shenja të prekshme shprese për vëllezërit dhe motrat, që përjetojnë vështirësi të çdo lloji", pohon Leoni XIV.
Misioni i themeluesit, të Lumit McGivney
Një thirrje, së cilës themeluesi i Kalorësve të Kolombos, Michael McGivney, iu përgjigj menjëherë, duke parë, pohon Ati i Shenjtë, "nevojat e shumta të katolikëve emigrantë". "Ai u përpoq t’i ngushëllonte të varfrit dhe të vuajturit përmes kremtimit të sakramenteve dhe përmes ndihmës vëllazërore, ndihmë që vazhdon edhe sot", vë në dukje Papa, duke përshkruar shërbimin e të Lumit McGivney, i cili themeloi Kalorësit e Kolombos në vitin 1882, duke u vënë emrin e zbuluesit të Amerikës.
Ende sot, shenjë shprese përmes lutjes dhe bamirësisë
Kalorësit e Kolombos e kanë ruajtur flakën e thirrjes origjinale dhe vazhdojnë të jenë "shenja shprese" ende sot. Si në "bashkësitë lokale, në famulli e familje", ku, vëren Papa, sjellin "lutje, edukim dhe vëllazërim", ashtu edhe në të gjithë botën, falë "përpjekjeve bamirëse" të këshillave lokale. Në fund të videomesazhit, Leoni XIV bën "urimet më të mira për punën e Takimit" të Uashingtonit, duke ia besuar atë ndërmjetësimit të Zojës dhe të Lumit McGivney.