Papa: i lutem Zotit që në Ukrainë të heshtin armët dhe të hapet rruga e dialogut
R.SH. / Vatikan
Në ditën e festës kombëtare të Ukrainës, që kremtohet sot, 24 shtator, Papa Leoni XIV i dërgon një mesazh Presidentit Volodymyr Zelenskyy, duke e siguruar se lutet për popullin ukrainas, që vuan nga lufta, e veçanërisht për të gjithë ata që janë plagosur fizikisht, për ata që vuajnë nga humbja e një të dashuri dhe për ata, që u larguan nga shtëpitë e tyre.
"Me zemër të plagosur nga dhuna që po shkatërron tokën tuaj, ju drejtohem juve - shkruan Papa - duke iu lutur Zotit t’i ngushëllojë ata që janë prekur nga pasojat e konfliktit, t’i forcojë "të plagosurit" dhe t'u japë "pushimin e pasosur” të vdekurve". Papa i lutet të Gjithëpushtetshmit t’i prekë zemrat e njerëzve vullnetmirë, ta bëjnë të heshtë zhurmën e armëve" e të shkojnë "në vendin e dialogut" për të hapur "rrugën e paqes, për të mirën e të gjithëve".
"Ia besoj kombin tuaj Virgjëreshës së Bekuar Mari, Mbretëreshës së Paqes", përfundon Leoni XIV.
Mesazhi i Papës u botua nga Presidenti Zelenskyy në një postim në platformën e tij sociale X. "Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Shenjtërisë së Tij për fjalët e thella, lutjet dhe vëmendjen e tij ndaj popullit ukrainas, në mes të një lufte shkatërruese". Kreu i shtetit shton se të gjitha "shpresat" dhe "përpjekjet" e kombit "drejtohen drejt arritjes së paqes së shumëpritur", "në mënyrë që mirësia, e vërteta dhe drejtësia të mbizotërojnë". Së fundi, shpreh edhe vlerësimin për "udhëheqjen morale dhe mbështetjen apostolike" të Papës.