MAP

Leoni XIV: “Familja duhet mbështetur, promovuar, inkurajuar”

Në audiencën me pjesëmarrëset në Kapitujt e Përgjithshëm të katër instituteve fetare të grave, në Vatikan, Leoni XIV i nxiti ta përtërijnë angazhimin e tyre ndaj nevojtarëve, duke i ftuar t'i ndihmojnë me dëgjim, këshillim dhe ndihmë në frymën e Familjes së Shenjtë të Nazaretit, pastaj kujtoi “funksionin e pazëvendësueshëm të familjes në shoqëri” .

R.SH. / Vatikan

"Dëshmitare të përsosura të shpresës": kështu i përshkroi Papa Leoni rregulltaret, që i përkisnin katër instituteve të mbledhura në Kapitujt e tyre të Përgjithshëm e të cilat i priti sot, 23 gusht, në audiencë. Ishin Misionaret e Bijave të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, Instituti i Bijave të Nazaretit, Instituti i Apostujve të Familjes së Shenjtë dhe Motrat e Bamirësisë të Zojës së Këshillit të Mirë. Janë shprehje e një Kishe, që shikon drejt Familjes së Shenjtë të Nazaretit, "vatër lutjeje, farkë dashurie dhe model shenjtërie", e përkushtuar për t’i jetuar dhe për t’i transmetuar vlerat që përfaqëson.

Papa Leoni XIV kujtoi, më pas, fjalët e Shën Palit VI në Tokën Shenjte, më 5 janar 1964, në Bazilikën e Lajmërimit, kur i nxiste të pranishmit të drejtohen nga Jezusi, Maria dhe Jozefi për të kuptuar më mirë "rëndësinë e familjes, bashkimin e saj të dashurisë, bukurinë e saj të thjeshtë dhe të rreptë, karakterin e saj të shenjtë dhe të paprekshëm, pedagogjinë e saj të butë dhe rolin e saj natyror, të pazëvendësueshëm në shoqëri".

Në kohën tonë, familja ka nevojë të mbështetet, të mbrohet dhe të inkurajohet më shumë se kurrë: përmes lutjes, shembullit dhe veprimit të shpejtë shoqëror, të gatshme për të përmbushur nevojat e saj. Dëshmia juaj karizmatike dhe puna juaj si gra të kushtuara mund të bëjnë shumë në këtë drejtim. Kjo, porosia e Papës!

Përgjigjja dhuratave të Zotit

Papa Leoni XIV kujtoi pasurinë e instituteve rregulltare femërore: karizmat, dhuruar nga Shpirti i themeluesve - Joseph Manyanet, María Encarnación Colomina, Maria Luigia Angelica Clarac, Giuseppe Guarino, Carmela Auteri, Teresa Ferrara dhe Agostino di Montefeltro - që vazhdojnë ende të ripërtërihen, duke frymëzuar edhe shkolla të mëdha përshpirtërie - pohoi Papa Leoni XIV - siç janë shkollat ​​françeskane dhe saleziane. Shpresa që mishëron Jubileu - shtoi - është ajo drejt së cilës rregulltaret, "shenjë e profeci", janë të thirrura të përpiqen për bekimet e ardhshme.

Silleni praninë besnike e të kujdesshme të Zotit në historitë e instituteve tuaja, silleni virtytin me të cilin ju parapriu e, duke kapërcyer shpesh sprova të ashpra, iu përgjigj dhuratave të Zotit.

Të bëhesh familje

Në përfundim të fjalimit, Papa i nxiti të pranishmet ta ripërtërijnë angazhimin ndaj "djemve, vajzave, nënave, baballarëve, të moshuarve dhe të rinjve" për të ringjallur "të njëjtat virtyte të Familjes Shenjte dhe të njëjtën dashuri".

Vazhdoni veprat që ju janë besuar duke "u bërë familje" dhe duke qëndruar pranë atyre që u shërbeni me lutje, dëgjim, këshillë dhe ndihmë, për të kultivuar e për të përhapur, në mjediset e ndryshme në të cilat punoni, frymën e shtëpisë së Nazaretit- theksoi Papa.

Së fundmi, Leoni XIV i falënderoi të pranishmet për punën e bërë në të katër anët e botës dhe ia besoi rregulltaret ndërmjetësimit të Nënës së Zotit dhe të Shën Jozefit.

23 gusht 2025, 13:37