Në Tor Vergata, kulmi i Jubileut të Rinisë
R.SH. – Vatikan
Kremtimet që e kanë gjallëruar Romën gjatë gjithë javës kulmojnë në Tor Vergata, e cila është shndërruar në një kamping gjigant. Më se 500.000 të rinj, me fytyra të lodhura, por të lumtura, marrin pjesë në vigjiljen e lutjes me Papën Leoni XIV, gjatë së cilës ai u përgjigjet pyetjeve të të rinjve mbi temat e miqësisë, guximit për të zgjedhur dhe vlerës së heshtjes. Dyshekë, mbulesa dhe çanta gjumi shtruar përtokë dëshmojnë se të rinjtë e moshës 18 deri në 35 vjeç, nga 146 vende, kanë ndërmend të flenë këru.
Papa mbërrin me makinën e hapur, në mes të një turme gazmore, që brohoret, duartroket e thërret emrin e Leonit XIV, pasi ka kaluar një pasdite me koncerte, lutje dhe reflektime. Ati i Shenjtë u bën një surprizë: zbret nga papamobili, merr në dorë një kryq dhe e bën me të udhën deri në skenën e përgatitur për takimin me të rinjtë. Mes tyre, edhe të rinjtë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, disa prej të cilëve i dëgjuam këto ditë edhe në mikrofonin e Radio Vatikanit.
Ky Jubile i të Rinjve, ngjarja më e madhe ndërkombëtare e këtij Viti të Shenjtë, është dhuratë për secilin prej tyre, diçka e çmuar, që do ta marrin me vete në shtëpi, për ta ndarë me bashkëmoshatarët, familjet e anëtarët e tjerë të bashkësisë së krishterë në të cilën bëjnë pjesë.
Nesër, ata do të marrin pjesë në meshën e mbylljes së Jubileut Rinor, gjithnjë me Papën Leoni XIV, i cili do të thotë bashkë me ta edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot në mesditë.