MAP

Sinodi i Kishës Valdeze në Torre Pellice, Torino, Itali Sinodi i Kishës Valdeze në Torre Pellice, Torino, Itali

Papa Sinodit të Kishës Valdeze: të bashkëpunojmë për dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe paqen

Mesazhi i Leonit XIV mbërriti, nëpërmjet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kard. Parolin, në inaugurimin e asamblesë së mbledhur në Torre Pellice, Torino, deri më 27 gusht. Urimi është që të ecet "me sinqeritet zemre drejt bashkimit të plotë, për të dëshmuar Jezu Krishtin dhe Ungjillin e Tij", duke dhënë "përgjigje të përbashkëta ndaj vuajtjes që prek më të dobëtit"

R.SH. / Vatikan

Nëpërmjet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Parolin, Papa Leoni XIV i dërgoi përshëndetjet e tij Sinodit të Kishës Valdeze, i cili u hap dje, më 23 gusht, në Torre Pellice (Torino). Ati i Shenjtë Prevost shprehu besimin për "bashkimin e plotë" të të krishterëve, temë veçanërisht e dashur për Leonin XIV, të cilën deshi ta pohojë edhe në moton e tij: "In Illo uno unum" - Në një Krisht jemi një”:  citat i Ekspozimit të Psalmit 127 nga Shën Augustini, për të shpjeguar se “edhe pse ne të krishterët jemi shumë, në një Krisht jemi një".

Të krishterët të bashkëpunojnë për dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe paqen

“Përshëndetje të përzemërt dhe vëllazërore, u drejtoi Papa, të gjithë atyre që marrin pjesë në sinodin valdeziano-metodist, duke i siguruar për kujtimin e zjarrtë në lutje, në mënyrë që të gjithë të krishterët të ecin me sinqeritet zemre drejt bashkimit të plotë, për të dëshmuar Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij, duke bashkëpunuar në shërbim të njerëzimit, veçanërisht në mbrojtjen e dinjitetit të personit njerëzor, në nxitjen e drejtësisë dhe të paqes dhe në dhënien e përgjigjeve të përbashkëta ndaj vuajtjeve që prekin më të ligshtit”.

Pastori Ciaccio: Zoti nuk thërret për të mposhtur të tjerët, por për t'i shërbyer dhe dashur ata.

I përbërë nga deputetë të Kishave lokale, nga një numër barinjsh dhe bareshash ekuivalente dhe nga përgjegjës të sektorëve të veçantë të veprimtarisë, Sinodi Valdes mblidhet çdo vit në Luginat Valdese, i inauguruar nga një shërbesë gjatë së cilës ministrat e ardhshëm, në fund të studimeve të tyre dhe pas një provimi publik, angazhohen të shërbejnë në Kishë dhe shugurohen me vendosjen e duarve nga të gjithë anëtarët e kuvendit. Punimet zhvillohen sipas një modeli krahasimi kuvendor, me vetëdijen se veprimi i Shpirtit udhëheq vendimet e përbashkëta.

Dje, predikimi hapës së Sinodit u mbajt nga pastori Peter Ciaccio, i cili theksoi "detyrën e vështirë të Kishave tona: të flasim për Zotin; të flasim për marrëdhënien që kemi me Zotin dhe implikimet e saj; të flasim për faktin se Zoti na ka gjetur, na ka thirrur dhe jo si justifikim për të mposhtur të tjerët - theksoi ai -, por si themel për të shërbyer dhe dashur të tjerët, për të mbështetur dhe mbrojtur të fundit".

24 gusht 2025, 15:37