Leoni XIV: të ungjillëzosh do të thotë të dëshmosh takimin me Zotin
R.SH. / Vatikan
"Çelësi i çdo shkolle ungjillizimi" është "të japë dëshmi për atë që u sodit, për takimin që pati me Zotin e jetës". Me këto fjalë, shqiptuar në spanjisht, Papa Leoni XIV përmblodhi misionin e institucioneve të caktuara të transmetojnë formimin ungjillor. Sot, 29 gusht, Ati i Shenjtë Leoni priti në audiencë, në Sallën Klementine, anëtarët e Shkollës së Ungjillëzimit të Shën Andreut (Sesa), në Romë deri nesër, si "shtegtarë të shpresës" për të festuar Jubileun.
"Modeli" i Shën Gjon Pagëzuesit
Pasi përshëndeti Kardinalin Gérald Cyprien Lacroix, Kryeipeshkëv i Kebekut dhe Kryetar i Sekretariatit të SESA-s, në Kanada, si dhe Profesorin José Prado Flores, themelues dhe drejtor ndërkombëtar i Shkollës, Papa kujtoi se sot Kisha feston përkujtimin liturgjik të martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit, figurë, vuri në dukje Leoni XIV, e cila mund të "na ndihmojë shumë të reflektojmë për misionin e ungjillëzuesve sot". Prologu i Ungjillit të Gjonit e përshkruan si ai, i cili dëshmon "për Fjalën, që u bë Njeri".
Ta kumtojmë, çka pamë e dëgjuam
Vetë Shën Gjoni, në Letrën e tij të parë, flet për kuptimin dhe qëllimin e misionit të tij si ungjillëzues: "Atë që e pamë e që e dëgjuam - lexojmë në kapitullin e parë të Letrës së tij të parë, të cituar nga Papa - jua shpallim edhe juve, që edhe ju të jeni në bashkim me ne. E ne jemi të bashkuar me Atin e me Birin e tij, Jezu Krishtin".
Një me Krishtin
Papa Leoni XIV e identifikon misionin e ungjillëzuesit "të profesionit", me atë të çdo katoliku, duke aluduar edhe në moton e stemës së tij, të frymëzuar nga një Predikim i Shën Augustinit, i cili tregon qëllimin përfundimtar të çdo të krishteri: "In Illo uno unum" (Në të vetmin Krisht jemi një). "Kjo është thirrja jonë si njerëz të pagëzuar" - tha Papa - duke iu drejtuar përsëri anëtarëve të Sesas - duhet të transmetojmë atë që kemi marrë, në mënyrë që të gjithë të bëhemi një në Krishtin".
Punë e frytshme
Në fund të takimit, Papa Leoni XIV i ftoi anëtarët e Shën Andreut, "në këto ditë shtegtimi” në Romë, "të meditojnë për jetën e shenjtorëve që, ashtu si Gjon Pagëzuesi, ishin ndjekës besnikë të Jezu Krishtit, duke e shprehur këtë përmes fjalëve dhe veprave të mira". Pastaj i falënderoi për "punën e tyre të frytshme", duke i inkurajuar "të vazhdojnë të ecin me shpresë të përtërirë". E ia besoi mbrojtjen e misionit ungjillëzues Marisë, Zojës sonë të Guadalupes.
Një shkollë e përhapur në të gjithë botën
Shkolla e Ungjillëzimit "Shën Andreu", "bashkësi shkollash në mbarë botën", siç shkruhet në faqen e internetit, e ka selinë ndërkombëtare në Guadalajara, Meksikë, e degët kombëtare në Kolumbi, Itali, Brazil, Shtetet e Bashkuara, Hungari, Portugali, Kanada dhe Argjentinë. U themelua në vitin 1980 nga José H. Prado Flores (Pepe Prado), Bill Finke dhe Ati Emiliano Tardif në Chilpancingo, Meksikë, dhe aktualisht është e përhapur në 69 vende me afërsisht 2,000 seli.