MAP

Haiti, apeli i Papës për t'i dhënë fund dhunës Haiti, apeli i Papës për t'i dhënë fund dhunës

Leoni XIV: të marrin fund luftërat, e pengjet në Haiti të lirohen menjëherë

Papa, në përshëndetjet e tij pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, u bëri thirrje urgjente vendimmarrësve ndërkombëtarë për kërkimin e zgjidhjes së konflikteve, duke pasur gjithnjë parasysh pasojat për popullatat. Papa shprehu edhe kënaqësinë për marrëveshjen e arritur në Uashington ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa shprehu keqardhje të thellë për dhunën që shkatërron vendin e Karaibeve.

R.SH. / Vatikan

Duhet ta refuzojmë luftën si "udhë për zgjidhjen e konflikteve". Kjo, thirrja urgjente e Papës Leoni XIV në përshëndetjet e tij pas Lutjes së Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, drejtuar bashkësisë ndërkombëtare dhe udhëheqësve të saj, të cilëve u kërkoi të merrnin përsipër përgjegjësinë e punës për paqen. Ndërsa për arritjen e saj, u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të mos i ndërpresin kurrë lutjet e tyre.

Të vazhdojmë të lutemi, pra, për t'i dhënë fund luftërave. 80-vjetori i bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit rizgjoi në mbarë botën refuzimin e domosdoshëm të luftës si mjet për zgjidhjen e konflikteve. Vendimmarrësit duhet ta kenë gjithnjë parasysh përgjegjësinë e tyre për pasojat mbi popullatat. Nuk duhet t’i injorojnë nevojat e më të ligshtëve dhe dëshirën universale për paqe.

Armenia dhe Azerbajxhani, shembull paqeje

Papa Leoni XIV përmend edhe një shembull paqeje: atë që u arrit nga Armenia dhe Azerbajxhani më 8 gusht, me nënshkrimin, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të deklaratës së përbashkët ndërmjet Kryeministrit Armen Nikol Pashinyan dhe Presidentit Azerbajxhanas Ilham Aliyev. Shpresohet - uron Papa - që kjo ngjarje të kontribuojë për paqen e dëshiruar dhe të qëndrueshme në Kaukazin Jugor".

Dhimbje për Haitin

Së fundi, fjalët e Leonit XIV të kujtojnë tragjedinë që po jetohet në Haiti. Prej andej po mbërrijnë lajme për një popullsi gjithnjë e më të dëshpëruar. Ndaj Papa shpreh hidhërimin e tij, për viktimat e "dhunës së të gjitha llojeve, të trafikimit të qenieve njerëzore, dëbimit të detyruar dhe rrëmbimit".

U drejtoj një thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe kërkoj mbështetjen konkrete të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar kushtet shoqërore dhe institucionale, që u japin haitianëve mundësinë të jetojnë në paqe.

Ndërkaq në Haiti vijon thirrja e njerëzve të thjeshtë, të vuajtur, që bëjnë thirrje:

“Mjaft më me gjakderdhje, me liri kriminelësh, me frikë e tmerr...”.

E pas rrëmbimit të fundit të nëntë personave, kryedioqeza e kryeqytetit dënon me forcë incidentin dhe "dështimin e Shtetit dhe të një shoqërie që po humbet... E që kërkon ndryshime”.

10 gusht 2025, 14:08