Leoni XIV: t? marrin fund luft?rat, e pengjet n? Haiti t? lirohen menj?her?
R.SH. / Vatikan
Duhet ta refuzojmë luftën si "udhë për zgjidhjen e konflikteve". Kjo, thirrja urgjente e Papës Leoni XIV në përshëndetjet e tij pas Lutjes së Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, drejtuar bashkësisë ndërkombëtare dhe udhëheqësve të saj, të cilëve u kërkoi të merrnin përsipër përgjegjësinë e punës për paqen. Ndërsa për arritjen e saj, u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të mos i ndërpresin kurrë lutjet e tyre.
Të vazhdojmë të lutemi, pra, për t'i dhënë fund luftërave. 80-vjetori i bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit rizgjoi në mbarë botën refuzimin e domosdoshëm të luftës si mjet për zgjidhjen e konflikteve. Vendimmarrësit duhet ta kenë gjithnjë parasysh përgjegjësinë e tyre për pasojat mbi popullatat. Nuk duhet t’i injorojnë nevojat e më të ligshtëve dhe dëshirën universale për paqe.
Armenia dhe Azerbajxhani, shembull paqeje
Papa Leoni XIV përmend edhe një shembull paqeje: atë që u arrit nga Armenia dhe Azerbajxhani më 8 gusht, me nënshkrimin, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të deklaratës së përbashkët ndërmjet Kryeministrit Armen Nikol Pashinyan dhe Presidentit Azerbajxhanas Ilham Aliyev. Shpresohet - uron Papa - që kjo ngjarje të kontribuojë për paqen e dëshiruar dhe të qëndrueshme në Kaukazin Jugor".
Dhimbje për Haitin
Së fundi, fjalët e Leonit XIV të kujtojnë tragjedinë që po jetohet në Haiti. Prej andej po mbërrijnë lajme për një popullsi gjithnjë e më të dëshpëruar. Ndaj Papa shpreh hidhërimin e tij, për viktimat e "dhunës së të gjitha llojeve, të trafikimit të qenieve njerëzore, dëbimit të detyruar dhe rrëmbimit".
U drejtoj një thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe kërkoj mbështetjen konkrete të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar kushtet shoqërore dhe institucionale, që u japin haitianëve mundësinë të jetojnë në paqe.
Ndërkaq në Haiti vijon thirrja e njerëzve të thjeshtë, të vuajtur, që bëjnë thirrje:
“Mjaft më me gjakderdhje, me liri kriminelësh, me frikë e tmerr...”.
E pas rrëmbimit të fundit të nëntë personave, kryedioqeza e kryeqytetit dënon me forcë incidentin dhe "dështimin e Shtetit dhe të një shoqërie që po humbet... E që kërkon ndryshime”.