MAP

Një moment nga audienca e Papa Leonit me ministrantët francezë (@Vatican Media) Një moment nga audienca e Papa Leonit me ministrantët francezë (@Vatican Media)

Leoni XIV, ministrantëve: Mesha nuk është "detyrë", shërbesa juaj ta tregojë bukurinë e saj

Në një mesazh drejtuar grupit të ministrantëve të rinjve francezë, shtegtarë në Romë, Leoni XIV pohoi rëndësinë e Eukaristisë si vend takimi me dashurinë e Krishtit, i cili dhurohet "pa kërkuar në këmbim asgjë". Mungesa e priftërinjve është “fatkeqësi" për Kishën.

R.SH. / Vatikan

Shpresoj se "do të jeni të vëmendshëm ndaj thirrjes që Jezusi mund t'ju drejtojë për ta ndjekur më nga afër në meshtari" dhe "se ju, pak nga pak, të diel pas të diele, do të zbuloni bukurinë, lumturinë dhe domosdoshmërinë e një thirrjeje të tillë". Papa Leoni XIV ia drejtoi këtë inkurajim "ndërgjegjes së shërbyesve të rinj, entuziastë dhe bujarë", ministrantëve, apo shërbyesve të altarit, shtegtarë nga Franca në Romë, të cilët i takoi sot paradite, 25 gusht, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Gjatë fjalimit, në të cilin theksoi rëndësinë e Eukaristisë si vend takimi me dashurinë e Krishtit, Papa kujtoi "jetën e mrekullueshme të priftit që çdo dite, përmes Meshës, "takohet me Jezusin në një mënyrë krejt të jashtëzakonshme dhe ia jep atë botës".

Do t'ju them diçka që duhet ta dëgjoni, edhe nëse mund t'ju shqetësojë pak - vijoi Papa - mungesa e meshtarëve në Francë e në botë, është turp i madh! Fatkeqësi e madhe për Kishën!

Vetëm Jezusi na shpëton

Përballë një bote që "po shkon keq e më keq, që duhet të përballojë sfida gjithnjë e më serioze e më shqetësuese", si vuajtja, sëmundja, paaftësia, dështimi, apo edhe humbja e një të dashuri, Papa beson se mund të lindin pyetje si "Kush do të na vijë në ndihmë? Kush do të ketë mëshirë për ne? Kush do të vijë të na shpëtojë? ... jo vetëm nga vuajtjet tona, kufizimet tona dhe gabimet tona, por edhe nga vetë vdekja?".

Përgjigja për Leonin XIV "krejtësisht e qartë, ka jehuar gjatë dy mijë vjetëve të historisë: vetëm Jezusi vjen për të na shpëtuar, askush tjetër: sepse vetëm Ai ka fuqinë ta bëjë këtë - Ai është Vetë Zoti i Gjithëpushtetshëm – e edhe sepse Ai na do". "Jezusi e dha jetën e Tij për ne, duke e ofruar në kryq. Në të vërtetë, nuk ka dashuri më të madhe sesa të japësh jetën tënde për dikë që e duam", vazhdoi Papa, duke e përcaktuar vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit si "gjënë më të mrekullueshme të fesë sonë katolike" dhe "ngjarjen më të rëndësishme të historisë së botës". "Zoti, krijuesi i qiellës e i dheut, donte të vuante dhe të vdiste për ne, krijesat. Zoti na deshi deri në pikën e vdekjes! Për ta bërë këtë, Ai zbriti nga qielli, e përuli Veten dhe u bë si njerëzit", pohoi Papa.

Çka duhet të na frikësojë nga një Zot, që na deshi deri në këtë pikë? Çka mund të shpresonim më shumë? Çka presim për ta shpërblyer si e meriton? I ringjallur me lavdi, Jezusi, i gjallë pranë Atit, tani kujdeset për ne dhe na komunikon jetën e tij të amshuar.

Eukaristia e shpëton botën sot

Leoni XIV theksoi më pas se vendi ku mund ta provojmë këtë dashuri të Krishtit është Eukaristia, "thesari i Kishës, thesari i thesareve". "Nga e diela në të diel" dhe "nga breznia në brezni", Kisha "ruan me kujdes kujtimin e vdekjes dhe të ngjalljes së Zotit", shpjegoi Papa. "Kremtimi i Meshës na shpëton sot! E shpëton botën sot!", ripohoi, pikërisht sepse në të, "në duart e priftit dhe me fjalët e tij 'ky është Korpi im, ky është Gjaku im', Jezusi vijon ta japë jetën e tij në altar, ende vijon ta derdhë gjakun e tij për ne sot". Është ngjarja më e rëndësishme në jetën e të krishterit dhe në jetën e Kishës, sepse takim, në të cilin Zoti na dhurohet nga dashuria, përsëri e përsëri. I krishteri nuk shkon në Meshë nga detyra, por sepse ka absolutisht nevojë për të. Nevojë për jetën e Zotit, e cila jepet pa kërkuar asgjë në këmbim!

Vendoseni Jezusin në qendër të jetës  

Duke cituar një verset të Shën Pjetrit shkëputur nga Veprat e Apostujve, i cili thotë: "Nuk ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi, Papa i inkurajoi ministrantëve apo shërbyesve të altarit, që "të mos i harrojnë kurrë këto fjalë". "“Ngulitini në zemrat tuaja e vendoseni Jezusin në qendër të jetës suaj", përsëriti. Dhe i ftoi të kthehen në Francë "më të vendosur se kurrë për ta dashur dhe për ta ndjekur Jezusin, “më të armatosur me shpresë", në çaste të vështira dyshimi, çkurajimi dhe stuhie, "si spirancë e sigurt, e hedhur drejt qiellit, e cila do t'ju lejojë të vazhdoni udhëtimin tuaj".

Papa Leoni XIV i falënderoi ministrantët për shërbimin e tyre, i nxiti të këmbëngulin dhe i ftoi ta kenë gjithnjë në mendje "madhështinë dhe shenjtërinë e asaj që  kremtohet gjatë Ekaristisë".

E si mund të mos ndjehet gëzim në zemër në praninë e Jezusit? Por Mesha është, në të njëjtën kohë, çast serioz, solemn, përplot me gravitet. Qëndrimi juaj, heshtja juaj, dinjiteti i shërbesës suaj, bukuria liturgjike, rregulli dhe madhështia e gjesteve duhet t’i ndihmojnë besimtarët të hyjnë në madhështinë e shenjtë të Misterit të fesë së krishterë.

Jezusi dëshiron të jetë miku juaj më i mirë

Papa i nxiti ministrantët apo shërbyesit e altarit, të mos e humbasin mundësinë "për t'i folur Jezusit në fshehtësinë e zemrave të tyre dhe për ta dashur gjithnjë e më shumë" ndërsa janë në Romë gjatë Vitit Shenjt.

"Ai na ndihmon të 'kthehemi', domethënë të kthehemi drejt Tij, të rritemi në fenë dhe në dashurinë e Tij, të bëhemi dishepuj më të mirë", shpjegoi Papa. Dëshira e vetme e Krishtit, shtoi Ati i Shenjtë Prevost, "është të jetë pjesë e jetës suaj për ta ndriçuar atë nga brenda, për t'u bërë miku juaj më i mirë, miku juaj më besnik. Jeta bëhet e bukur dhe e lumtur me Jezusin". Megjithatë, shpjegoi akoma Papa, Krishti "pret përgjigjen tuaj", troket "në derë dhe pret të hyjë".

Të jesh "pranë" Jezusit, pranë Atij, Birit të Zotit, për të hyrë në miqësinë e Tij! Çfarë fati i papritur! Çfarë lumturie! Çfarë ngushëllimi! Çfarë shprese për të ardhmen!

Kush janë ministrantët?

Kujtojmë se ministrantët, që dikur në viset shqiptare thirreshin xhakoj, janë djem ose vajza, që shërbejnë në altar gjatë kremtimeve liturgjike. I shërbejnë bashkësisë së krishterë, meshtarëve e diakonëve. Kushtetuta e Koncilit të II të Vatikanit kushtuar Liturgjisë kishtare "Sacrosanctum Concilium", në n. 29, i kujton "ministrantët", duke e quajtur shërbimin e tyre "shërbesë e vërtetë liturgjike”.

25 gusht 2025, 14:37