MAP

Leoni XIV: pushteti duhet udhëhequr nga ndërgjegjja e ligji të jetë në shërbim të dinjitetit

Papa priti Rrjetin ndërkombëtar të ligjvënësve katolikë mbledhur për takimin e tyre të 16-të vjetor me temë "Rendi i ri botëror: politikat e fuqive të mëdha, sundimi i shumëkombësheve dhe e ardhmja e prosperitetit njerëzor". Gjatë takimit, sqaroi se zhvillimi nuk mund të bazohet vetëm në progresin teknologjik dhe në ndjekjen e pasurisë materiale, që shpesh çojnë në vetmi e në dëshpërim. Shën Augustini na mëson se duhet të zgjedhim ndërmjet dashurisë për veten dhe dashurisë për Zotin e të afërmi

R.SH. / Vatikan

“Ndërtimi i urave ndërmjet Qytetit të Njeriut dhe Qytetit të Zotit”. Kjo, thirrja e Papës në fjalimin e mbajtur sot, 23 gusht, në audiencën me afërsisht 150 anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë, mbledhur në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Ishin në Vatikan për Jubileun e Shpresës, me rastin e takimit të tyre të gjashtëmbëdhjetë vjetor me temë "Rendi i ri botëror: politika e fuqive të mëdha, sundimi i shumëkombësheve dhe e ardhmja e prosperitetit njerëzor". Mësimet e Shën Agustinit, kujtuar si "figurë madhështore" e "zë kryesor i Kishës në epokën e vonë romake" dhe dëshmitar i trazirave të mëdha dhe shpërbërjes shoqërore, janë edhe një herë busull për të gjetur ekuilibrin, në një botë që po merr drejtime "shqetësuese".

Ndjekja e lulëzimit vërtetë të familjes njerëzore

Mesazhi i Papës, drejtuar ligjvënësve katolikë dhe udhëheqësve politikë, nga njëra anë shpreh shqetësim - nga ana tjetër, dëshirë "për mirëqenie të vërtetë njerëzore, në një botë ku të gjithë mund të jetojnë në paqe, liri dhe kënaqësi, sipas planit të Zotit". Shenjti i Iponës, Augustini ofronte dhe vazhdon të ofrojë edhe sot, kujton Papa Leoni XIV, një horizont shprese dhe kuptimi që vijon të na flasë nga vepra e tij e paharrueshme De civitate Dei (shkruar ndërmjet viteve 413 dhe 426), e cila e përshkruan historinë si luftë ndërmjet dy modeleve të jetës: atij të Qytetit të Njeriut, të themeluar mbi krenarinë dhe dashurinë për veten, të karakterizuar nga ndjekja e pushtetit, prestigjit dhe kënaqësisë; dhe atij të Qytetit të Zotit, themeluar mbi dashurinë e Zotit deri në pikën e altruizmit, të karakterizuar nga drejtësia, bamirësia dhe përvujtëria.

Augustini i inkurajonte të krishterët ta mbushnin shoqërinë tokësore me vlerat e Mbretërisë së Zotit, duke e drejtuar kështu historinë drejt përmbushjes së saj përfundimtare në Zotin, ndërsa mundësoi lulëzimin e vëretetë njerëzor në këtë jetë. Ky vizion teologjik mund të na ankorojë përballë rrymave të ndryshueshme të sotme: shfaqjes së qendrave të reja të gravitetit, zhvendosjes së aleancave të vjetra dhe ndikimit të paparë të korporatave dhe teknologjive globale, për të mos përmendur konfliktet e shumta të dhunshme. Pyetja themelore që ne, besimtarët, duhet t'ia bëjmë vetes, është kjo: si mund ta realizojmë këtë detyrë?

Çfarë është jeta e begatë?

Papa, më pas, sqaron kuptimin e një jete të begatë, shpesh të ngatërruar – vëren - me "një jetë të pasur materialisht ose jetë me autonomi individuale të pakufizuar". Komoditeti teknologjik dhe kënaqësia e konsumatorit - pohon më tej Papa Leoni, konsiderohen përgjithësisht si parametrat e një ardhmërie ideale. "Megjithatë, e dimë se kjo nuk është e mjaftueshme. E shohim në shoqëritë e begata, ku shumë njerëz luftojnë me vetminë, dëshpërimin dhe me ndjenjën e mungesës së kuptimit".

Lulëzimi i vërtetë njerëzor gurron nga ajo që Kisha e quan zhvillim të gjithanshëm njerëzor, domethënë zhvillim i plotë i një njeriu në të gjitha përmasat e tij: fizike, shoqërore, kulturore, morale dhe shpirtërore. Ky vizion i njeriut rrënjoset në ligjin natyror, rend moral që Zoti e shkroi në zemrën njerëzore, të vërtetat më të thella të të cilit ndriçohen nga Ungjilli i Krishtit. Në këtë drejtim, lulëzimi i vërtetë i njerëzimit shihet kur individët jetojnë me virtyt dhe në bashkësi të shëndetshme, duke shijuar jo vetëm atë që kanë, por edhe atë që janë si bijtë të Zotit. Kjo garanton lirinë për të kërkuar të vërtetën, për të adhuruar Zotin dhe për të rritur familjet në paqe. Përfshin edhe harmoninë me krijimin, si dhe një ndjenjë solidariteti ndërmjet klasave shoqërore dhe kombeve.

Të ndërtohen ura ndërmjet Qytetit të Njeriut e Qytetit të Zotit

Ne duhet të zgjedhim, këmbëngul Papa Prevost, atë që e duam si themel të shoqërisë: dashurinë për veten - apo dashurinë për Zotin dhe të afërmin. Kjo është edhe më e nevojshme përballë sfidave aktuale, që "janë të pafundme", por në të cilat, thekson Papa, hiri i Zotit në veprim në zemrat njerëzore është edhe më i fuqishëm.

Leoni përfundon duke kujtuar fjalimin e Françeskut drejtuar Trupit Diplomatik janarin e kaluar, në të cilin foli për një "diplomaci shprese", e cila vijon ende të jetë themelore, së bashku me, saktëson Papa, "politikën e shpresës" e edhe "ekonominë të shpresës".

Bekimi i fundmë për punën e rrjetit të ligjvënësve katolikë u shoqërua me inkurajimin që përpjekjet të kenë si qëllim kryesor “lulëzimin e vërtetë të familjes njerëzore”. Në thirrjen tuaj si ligjvënës dhe zyrtarë publikë katolikë, ju jeni të thirrur të ndërtoni ura midis Qytetit të Njeriut dhe Qytetit të Zotit. Ju nxis të punoni për një botë ku pushteti zbutet nga ndërgjegjja dhe ligji është në shërbim të dinjitetit njerëzor. Gjithashtu ju inkurajoj të hidhni poshtë mentalitetin e rrezikshëm dhe vetëshkatërrues që asgjë nuk mund ta ndryshojë kurrë.

Rrjeti Ndërkombëtar i Ligjvënësve Katolikë

Kujtojmë se Rrjeti Ndërkombëtar i Ligjvënësve Katolikë u themelua pesëmbëdhjetë vjet më parë, duke tërhequr mbi një mijë politikanë nga e gjithë bota. Siç thuhet në faqen e tij të internetit, ofron një platformë të pavarur për arsimin, bashkëpunimin politik dhe përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Misioni i tij është t'u ofrojë të krishterëve të angazhuar në jetën publike formim fetar, arsim të specializuar dhe rrjet global kolegësh e miqsh, duke i mundësuar të ushtrojnë "udhëheqje të virtytshme dhe efektive, të përkushtuar për të mbrojtur dinjitetin e çdo qenieje njerëzore". Rrjeti e paraqet veten si "të paangazhuar në lobim ose aktivizëm politik" dhe thekson se puna e tij bazohet në vëzhgimin e "rënies së udhëheqjes morale, mungesës së përgjegjësisë politike dhe rënies së shpejtë të legjislacionit të drejtë".

23 gusht 2025, 12:47