Leoni XIV pret Presidentin e Republikës së Sejshelit
R.SH. / Vatikan
Sot, 22 gusht, Papa Leoni XIV priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Sejshelit, Wavel Ramkalawan. Më pas Presidenti u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot MirosÅ‚aw StanisÅ‚aw Wachowski, zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
Ambienti, shëndetësia, arsimi, dialogu
Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit, u kujtuan marrëdhëniet e mira të Selisë së Shenjtë me Sejshelin. Ndërsa bisedimet u përqendruan në aspekte të caktuara të situatës politike dhe socio-ekonomike të vendit, veçanërisht në bashkëpunimin me Kishën lokale, në mbrojtjen e mjedisit, në kujdesin shëndetësor dhe në arsimin, me vëmendje të veçantë në edukimin e të rinjve të arkipelagut. Biseda vazhdoi me shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet kombeve.
Dhuratat
Papa Leoni XIV i dhuroi Presidentit një basoreliev me alegorinë e Teologjisë, afresk nga Raphael Sanzio, i gjetur në kasafortën e Stanza della Segnatura në Muzetë e Vatikanit: një grua e shoqëruar nga dy engjëj, me mbishkrimin "Divinar(um) rer(um) notitia", që do të thotë “teologjia si "zbulesë e gjërave hyjnore". Dhurata të tjera nga Papa ishin vëllimi mbi Apartamentin e Audiencave në Pallatin Apostolik dhe Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2025. Presidenti Ramkalawan i dhuroi Papës një kopje të vogël prej druri të një kanoeje tipike për peshkim në arkipelag.