Papa: jeta nuk ?sht? nj? objekt konsumi, por dhurat? p?r t? mir?n e t? tjer?ve
R.SH. / Vatikan
“Veprat e mëshirës janë banka më e sigurt dhe më fitimprurëse. Asaj mund t'ia besojmë thesarin e jetës sonë, sepse atje, siç na mëson Ungjilli, me dy qindarka edhe një vejushë e varfër bëhet më e pasura në botë”. Me këto fjalë, Papa Leoni XIV komentoi Ungjillin e sotëm, të dielës së 19të gjatë vitit kishtar, e diel, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke theksuar ftesën e Jezusit për të reflektuar "mbi mënyrën më të mirë të investimit", "thesarin e jetës sonë".
Krishti, i cili në fragmentin e Ungjillit nga Luka (Lk 12, 32-48) është në rrugën për në Jeruzalem, "ku mbi kryq do të dhurojë veten për shëlbimin tonë", na nxit të jetojmë të njëjtën jetë që jetoi ai: "Shitni atë që keni dhe jepeni lëmoshë". "Dhuratat që na dha Zoti ", shpjegoi Papa, duhet të "përdoren bujarisht edhe për të mirën e të tjerëve" e jo të mbahen vetëm "për veten tonë". "Bëhet fjalë -sqaroi Leoni XIV - jo vetëm për ndarjen e gjërave tona materiale, por edhe për të vënë në lojë aftësitë tona, kohën tonë, dashurinë tonë, praninë tonë, empatinë tonë".
Të dhurohemi në marrëdhënie
Dhurata e vetvetes për të tjerët... Është pikërisht kjo që na bën një të mirë unike, të paçmuar, një kapital të gjallë në planet e Zotit. Anasjelltas, mosinvestimi i jetës sonë rrezikon ta "thajmë" dhe ta "zhvlerësojmë atë", duke e shndërruar në "objekt konsumi". "Dhurata e Zotit që jemi", argumentoi Papa, duhet të shpenzohet në liri dhe në marrëdhënie "për t'u realizuar dhe për t’u shprehur".
Çmimi i jetës së pasosur
Pasuria që krijohet në këtë proces dhurimi të vetvetes ka të njëjtin efekt shumëfishues, si investimi i vogël i "vejushës së varfër" e cila, duke dhuruar vetëm "dy qindarkat" që kishte pas shpirtit, në thesarin e Tempullit - arrin të fitojë gjithçka. "Do të ishte i kënaqur ndokush nëse nga një kile bronzi do të mund të merrte një kile argjendi, ose nga një kile argjendi, një kile ari" - tha Papa, duke cituar Predikimin e 390-të të Shën Augustinit - por nga ajo që jepet, merret diçka vërtet e ndryshme: jo ari as argjendi, por jeta e pasosur".
Mos i humbisni rastet për të dashur
Nëse, nga njëra anë, çmimi në lojë është kaq i lartë, e nëse, nga ana tjetër, rreziku i zhvlerësimit është kaq real, atëherë, paralajmëroi Papa Prevost, duhet të jemi të kujdesshëm "të mos humbasim asnjë mundësi për të dashur", "në familje, në famulli, në shkollë dhe në vendin e punës, kudo që jemi". "Kjo është vigjilenca që Jezusi kërkon prej nesh - përfundoi Leoni XIV - të mësohemi për të qenë të vëmendshëm, të gatshëm dhe të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit, ashtu siç është Ai me ne, në çdo çast".
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV ia besoi Marisë, Yllit të Mëngjesit, dëshirën dhe angazhimin tonë për vigjilencë:
Na ndihmoftë të jemi, në një botë me kaq kaq shumë përçarje, 'roje' të mëshirës dhe të paqes, siç na mësoi Shën Gjon Pali II dhe siç e treguan në mënyrë kaq të hijshme, të rinjtë e ardhur në Romë për Jubileun.