Leoni XIV do ta hapë, më 1 shtator, kapitullin e përgjithshëm të Urdhrit të Shën Augustinit
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV do të hapë, më 1 shtator, Kapitullin e 188-të të Përgjithshëm të Urdhrit të Shën Augustinit. Do të jetë Papa që, në të njëjtën ditë të hyrjes së tij në noviciat, në vitin 1977, në orën 18:00 do të kryesojë, në Bazilikën e Shën Augustinit, Meshën që do të hapë punimet e planifikuara deri më 18 shtator në Institutin Papnor Patristik Augustinianum, në Campo Marzio.
Kremtimi do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin italian të Radio Vatikanit - Vatican News duke filluar nga ora 17:55 dhe do të shoqërohet me komente në italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht dhe polonisht. Mund të ndiqet gjithashtu nëpërmjet transmetimit audio në faqet përkatëse gjuhësore të Vatican News, nëpërmjet videos në të njëjtin portal dhe në faqet përkatëse të Facebook dhe YouTube.
Numrat e kapitulli të përgjithshëm augustinian
Janë rreth 100 gjithsejt rregulltarët augustinanë që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila zhvillohet çdo gjashtë vjet, por janë 73 augustinianët, nga 46 vende të ndryshme, delegatë nga 41 rrethet e urdhrit, që do të kenë të drejtë vote. Përfaqësojnë 2,341 agustinianë me 395 shtëpitë e tyre të pranishme në pesë kontinente - siç është regjistruar nga Zyra Qendrore e Statistikave të Kishës së Selisë së Shenjtë që nga 31 dhjetori 2024 - dhe janë të thirrur për të zgjedhur Eprorin e ri të Përgjithshëm, të 98-tin, pas 12 vjetësh drejtimi të Atë Alejandro Moral, i cili e përfundoi mandatin e tij të dytë. Ditët e Kapitullit do të përfshijnë seanca me paraqitje nga presidentet e federatave të murgeshave augustiniane dhe anëtarëve laikë të familjes augustiniane, të cilët nuk kanë zë aktiv.
Në vitin 2013, Mesha kryesuar nga Françesku.
Dymbëdhjetë vjet më parë, ishte Papa Françesku ai që hapi, në të njëjtën Bazilikë Romake, Kapitullin e Përgjithshëm, duke përfunduar mandatin dyvjeçar të Atë Robert Prevost. Priori i atëhershëm, tani Pasardhësi i 266-të i Pjetrit, së bashku me këshillin e tij, menduan të ftonin Bergoglion, Papë të zgjedhur së fundmi, "për të kryesuar Meshën që hapte Kapitullin e Përgjithshëm, më 28 gusht", siç rrëfeu Ati i Shenjtë në intervistën e tij të fundit, si kardinal, dhënë mediave të Vatikanit. "Për habinë e madhe të të gjithëve", Françesku pranoi, dhe në predikimin e tij theksoi se "shqetësimi i zemrës është ajo që çon te Zoti dhe te dashuria", duke shtuar se Shën Augustini na fton të mbajmë gjallë "shqetësimin e kërkimit shpirtëror, shqetësimin e takimit me Zotin, shqetësimin e dashurisë". Papa argjentinas shpjegoi se "thesari i Augustinit është pikërisht ky qëndrim: të dalësh gjithmonë drejt Zotit, gjithmonë drejt grigjës", dhe e përshkroi Ipeshkvin e Iponës si "një njeri të ndarë ndërmjet këtyre dy drejtimeve", "gjithmonë në lëvizje", "gjithmonë i shqetësuar!
E kjo është paqja e shqetësimit". Ai gjithashtu nxiti për "të mos e 'privatizuar' dashurinë", dhe përfundoi duke shpjeguar se "edhe shqetësimi është dashuri, është të kërkosh gjithmonë, pa u lodhur kurrë, të mirën e tjetrit".