Leone XIV: më 17 gusht në Castel Gandolfo drekë me të varfrit, gjest konkret i dashurisë ungjillore
R.SH. / Vatikan
“Dashuria për Eukaristinë shndërrohet në aftësinë për të njohur dhe shërbyer ata persona që jetojnë të mënjanuar. Tryeza e Zotit na shtyn të takojmë periferitë e botës, ku banojnë varfëria, vetmia, përjashtimi. Pikërisht aty, në fytyrën e atij që kërkon dëgjim dhe dinjitet, ne takojmë vërtet fytyrën e Krishtit”. Me këto fjalë kard. Fabio Baggio, Drejtor i Përgjithshëm i projektit ‘Borgo Laudato si’, prezanton drekën që Papa Leone XIV do të bashkëndajë këtë të diele, më 17 gusht, me të varfrit e dioqezës së Albanos, në Kopshtet e rezidencës Papnore të Castel Gandolfos. Ushqimet e drekës do të përgatiten nga restoratorë vendas dhe do të shërbehen nga vullnetarët e Caritasit dioqezan të Albanos dhe nga operatorët e projektit “Borgo Laudato si’”.
Pas Meshës së parë kremtuar për Kujdesin e Krijimit më 9 korrikun e kaluar, Papa Leoni XIV kthehet kështu, në Castel Gandolfo, për një gjest – thellësisht ungjillor –, frymëzuar nga Darka e Mbrame e Jezusit dhe i rrënjosur në Doktrinën Shoqërore të Kishës. Siç thekson imzot Vincenzo Viva, ipeshkëv i Albanos, “vetëm nga Eukaristia lind dëshira jonë për të shërbyer. Një shërbim që e bënë Eukaristinë plotësisht të gjallë”.
"Bëjeni këtë nëpërkujtimin tim".
Ungjilli që bëhet prani reale dhe shërbim. Dreka me të varfrit është një gjest thellësisht ungjillor, i frymëzuar nga Darka eMbrame kur Jezusi jo vetëm kremtoi Eukaristinë e parë, por edhe u lau këmbët dishepujve të tij duke shtuar: "Bëjeni edhe ju siç bëra unë". Kështu, Papa e zgjat liturgjinë e altarit në gjestin konkret të shërbimit dhe i kujton botës se Eukaristia na çon gjithmonë drejt më të varfërve. Doktrina sociale e Kishës si themel i veprimit të krishterë. Ky vakt i përbashkëti Papës me të varfërit thekson se kujdesi për krijimin nuk mund të bashkëndahet nga besimi ynë në Zotin dhe nga kujdesi për çdo person, veçanërisht për ata që janë hedhur poshtë, harruar ose përjashtuar nga shoqëria.
Dreka me të varfrit shënon një etapë të projektit të dëshiruar nga Papa Françesku për të bashkuar ekologjinë integrale dhe drejtësinë sociale: “Mikpritja ungjillore fillon nga të varfrit – thotë don Manuel Dorantes, Drejtor Menaxhues Administrativ i Qendrës së Formimit të Lartë “Laudato Si’”–vjen para fjalimeve, para inaugurimeve, është përqafimi i Krishtit që bëhet ushqim dhe bashkëndarje konkrete” me ata që kanë nevojë për afërsinë e ndihmën tonë.