Libri “Paqja qoftë! Fjalë për Kishën dhe Botën", me temat e para të magjisterit
R.SH. / Vatikan
Parësia e Zotit, bashkësia në Kishë, kërkimi i paqes: këto janë temat që po karakterizojnë magjisterin e Papa Leonit. “Prioritete”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Librarisë Botuese të Vatikanit, që dalin nga leximi i vëllimit “Paqja qoftë! Fjalë për Kishën dhe Botën”, 160 faqesh, që doli sot në librari në italisht, anglisht dhe spanjisht.
Gjatë paraqitjes si Papë para mbarë botës, më 8 maj 2025, në kujtimin liturgjik të martirëve të Algjerisë, Leoni XIV shprehu besimin e tij për paqen "e çarmatosur dhe çarmatosëse". Këto fjalë i bënë jehonë atyre që përmbaheshin në testamentin e priftit të Tibhirinës, Christian de Chergé, i vrarë nga urrejtja kundër fesë, së bashku me shokët e tij, të cilët u shpallën të Lum në vitin 2018.
Në shkrimin e Papës Prevost ndjehet qartë parësia e Zotit për të gjithë në Kishë e, veçanërisht, për ata që kanë autoritet. Leoni XIV na fton: “të zhdukemi - që Krishti të mbetet; të bëhemi të vegjël - që Ai të njihet dhe të lavdërohet". Më pas rrëfen dëshirën e tij të madhe: "atë të një Kishe të bashkuar, të një shenje uniteti dhe bashkësie, që bëhet majà për një botë të pajtuar".
Thirrjet e panumërta të Papës për pajtim i drejtohen jo vetëm politikës, por edhe, e kryesisht, zemrës së çdo njeriu: "Paqja fillon me secilin prej nesh: nga mënyra se si i shohim të tjerët, si i dëgjojmë të tjerët, si flasim për të tjerët".