MAP

Leoni XIV kujton kardinalin Vingt-Trois: ishte bari i mirë dhe i zellshëm

Në një telegram drejtuar kryeipeshkvit të Parisit, Papa shpreh ngushëllimet dhe afërsinë e tij shpirtërore për ndarjen nga jeta të kardinalit, që e udhëhoqi kryedioqezën për 12 vjet. Ai kujton edhe Maison “Marie Thérèse”, ku kardinali kaloi vitet e fundit të sëmundjes: "Zoti e pranoftë në shtëpinë e tij të prehjes, paqes dhe dritës"

R.SH. – Vatikan

Lutjet dhe afërsia shpirtërore e Leonit XIV për vdekjen e kardinalit André Vingt-Trois më 18 korrik, në moshën 82 vjeç, shprehen sot, 22 korrik, në telegramin e Papës për kryeipeshkvin aktual të Parisit, imzot Laurent Ulrich. Ati i Shenjtë lutet që kardinali i ndjerë të marrë "shpërblimin që Mësuesi hyjnor u premtoi mbarështuesve besnikë".

“Dëshiroj t’i drejtohem në veçanti familjes dhe të afërmve të të ndjerit, personelit shëndetësor në Shtëpinë Marie-Thérèse, që u kujdes për të gjatë sëmundjes, si edhe klerit e besimtarëve të kryedioqezës së Parisit, ku qe bari i mirë dhe i zellshëm për 12 vjet. Lutem që, pasi i është përkushtuar shërbesës baritore dhe pasi ka marrë pjesë me trupin e tij, në ditët e tij të fundit, në kryqin e Krishtit, Zoti i ringjallur ta mirëpresë në shtëpinë e tij të pushimit, paqes dhe dritës”.

 Funerali i kardinalit Vingt-Trois do të kremtohet nesër, më 23 korrik, në orën 10.00, në katedralen Notre-Dame, nga kryeipeshkvi i Parisit, imzot Ulrich. Vingt-Trois, kryeipeshkëv i Parisit nga viti 2007 deri në vitin 2013, shërbeu edhe në krye të Konferencës Ipeshkvnore Franceze. I krijuar kardinal nga Papa Benedikti XVI gjatë koncistorit të 24 nëntorit 2007, me titullin e kishës së Shën Luigjit të Francezëve në Romë, ai ishte anëtar i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë dhe i Kongregatës për Kishat Lindore. Gjithashtu, shërbeu si president delegat gjatë Sinodeve mbi Familjen në vitet 2014 dhe 2015.

22 korrik 2025, 12:28