Telefonatë e Papës me Mahmoud Abbas. Leoni XIV: mbroni civilët dhe vendet e shenjta
R.SH. - Vatikan
Sot paradite, 21 korrik, Papa Leoni XIV mori një telefonatë nga presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, lidhur me zhvillimet e fundit në konfliktin e Rripit të Gazës dhe në Cisjordani. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar
Gjatë bisedës telefonike, thuhet në tekst, Papa përsëriti thirrjen për respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar detyrimin për të mbrojtur civilët dhe vendet e shenjta, si edhe duke kërkuar ndalimin e përdorimit pa dallim të forcës dhe të zhvendosjes së detyruar të popullsive. Duke pasur parasysh gjendjen dramatike humanitare, shkruan Salla e Shtypit e Vatikanit, u theksua urgjenca e dhënies së ndihmës për më të ekspozuarit ndaj pasojave të konfliktit, si edhe ajo e lejimit të hyrjes për ndihmat humanitare. Së fundi, thuhet në deklaratë, Leoni XIV kujtoi rastin e gëzuar të 10-vjetorit të Marrëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, nënshkruar më 26 qershor 2015 dhe hyrë në fuqi më 2 janar 2016.