Pushimet parë nga Papët: kohë për të rizbuluar Fjalën dhe librin e natyrës
R.SH. / Vatikan
Pushim nga puna për të rifituar forcat fizike, mundësinë e shtegtimit dhe të soditjes së bukurisë së natyrës, kohë për lexime dhe miqësi të reja. Por edhe hapësirë ​​për të kultivuar, përmes meditimit dhe lutjes, një aspekt themelor: aspektin shpirtëror! Këto janë disa nga përmasat kryesore, të treguara nga Papët për kohën e pushimeve.
Edhe Papa Leoni XIV do të kalojë në verën e tij të parë si Pasardhës i Pjetrit, një periudhë pushimi. Nga 6 korriku deri më 20 korrik, Papa Prevost do të zhvendoset në Vilat Papnore në Castel Gandolfo, një qytezë 25 kilometra larg Romës, në zonën Castelli Romani. Në këtë vend, të cilin Papa Gjon Pali II e pati quajtur me dashuri "Vatikani numër dy", Leoni XIV do të kremtojë Meshën e Shenjtë të dielën, më 13 korrik, në Famullinë Papnore të Shën Tomës në Villanova, ndërsa të dielën, më 20 korrik, do ta kremtojë Meshën në Katedralen e Albanos, caktuar Kardinalit të atëhershëm Prevost si Kishë titullare, në Koncistorin e krijimit të kardinalëve. Gjatë dy të dielave, më 13 dhe 20 korrik, Papa Leoni XIV do ta kremtojë Lutjen e Engjëllit të Tënzot në Piazza della Libertà në Castel Gandolfo.
Kohë e favorshme
Si ta përdorim dhe ta bëjmë të dobishme kohën e pushimeve? Kjo pyetje, në dukje jo themelore, nëse ndjekim një perspektivë shpirtërore, në të vërtetë gjen hapësirë ​​në shumë reflektime të Papëve. Para së gjithash sepse pushimet nuk kanë rol dytësor në jetën e njeriut. Papët theksojnë se nuk duhen shikuar vetëm si periudhë e pastër përtacie, e lidhur me pushimin. Kjo kohë mund të jetë, për shembull, një çast i përshtatshëm për të soditur bukurinë e natyrës, që Papa Pali VI e pati quajtur "libri i Zotit". Gjatë pushimeve, pati theksuar vetë Papa Montini, mund të rizbulohet kontakti me skenën "gjithmonë të hapur, gjithmonë të re, gjithmonë të mrekullueshme" të krijimit: me "hapësirën, atmosferën, kafshët, gjërat; detin, malet, fushat, qiellin me agimet e tij, mesditat e tij, perëndimet e tij, dhe veçanërisht me netët e tij me yje, të thella dhe gjithmonë magjepsëse".
Pali VI: pushimet qofshin kohë freskimi vigjilent
Pushimet janë edhe kohë e dobishme, në të cilën ndërprerja e ritmit të zakonshëm të punës mund të favorizojë heshtjen shpirtërore, kujtimin. Papa Pali VI në Lutjen e Engjëllit të Zotit më 5 gusht 1973, përshkroi një program të veçantë për këtë periudhë pushimi:
Le të sigurohemi që kjo kohë e lirë, të cilën e quajmë pushimet, nuk është as shpërdorim dhe as egoizëm. Çlodhje, freskim, rikrijim (në kuptimin etimologjik), po, por inteligjent dhe vigjilent. Ka, për shembull, lexime serioze, të cilave nuk mund t'u kushtojmë kohën e nevojshme gjatë vitit; ka ekskursione, zbulime të shumë pasurive të bukura të historisë dhe të artit tonë, që na pëlqen t’i sodisim së pari. Pastaj le të kujtojmë se pushimet janë periudhë e privilegjuar për miqësi të mira, për të njohur vendet, zakonet, nevojat e njerëzve, të cilëve zakonisht nuk i afrohemi e për të takuar njerëz të rinj, të denjë për bisedën tonë.
Gjon Pali II: takimi është një nga vlerat e pushimeve
Pushimet janë mundësi për të kaluar çaste qetësie. Papa Gjon Pali II, i cili donte ta kalonte kohën duke u çlodhur në malet "e tij" të dashura, na kujtonte vazhdimisht se për ta përtërirë veten, na duhet harmoni, duhet ta jetojmë bukurinë e takimit me të tjerët. "Që pushimet të jenë vërtet të tilla dhe të sjellin mirëqenie të mirëfilltë", pati deklaruar Papa Wojtila në lutjen e Engjëllit të Tënzot më 6 korrik 1997, "...është e nevojshme që njeriu të gjejë ekuilibër të mirë me veten, me të tjerët dhe me mjedisin. Kjo harmoni e brendshme dhe e jashtme e përtërin shpirtin dhe i rikthen energjinë trupit".
Një nga vlerat e pushimeve është ajo e takimit me të tjerët, e kalimit të kohës së bashku me të tjerët në mënyrë të paanshme, për kënaqësinë e miqësisë dhe të çasteve qetësuese. Megjithatë, duke njohur shpirtin njerëzor dhe kushtëzimin e shoqërisë së konsumit, do të doja t'u sugjeroja, veçanërisht të rinjve, të bëjnë pushime të shëndetshme, domethënë, arratisje të shëndetshme, duke shmangur shkeljet që janë të dëmshme për shëndetin e tyre dhe atë të të tjerëve. Përndryshe, përfundohet duke humbur kohë e burime dhe duke u kthyer nga "pushimet" tuaja të shumëpritura pa asnjë përfitim. Arratisja mund të jetë e dobishme, por vetëm nëse nuk shmangni kriteret e shëndosha morale apo edhe thjesht respektin e detyrueshëm për shëndetin tuaj. E drejta për pushime nuk duhet të na bëjë të harrojmë ata që, për arsye të ndryshme, nuk mund të largohen nga mjedisi i tyre i zakonshëm, sepse pengohen nga mosha, arsyet shëndetësore ose të punës, vështirësitë ekonomike ose probleme të tjera.
Benedikti XVI: përballë natyrës, njeriu rizbulon veten si krijesë
Sidomos për ata që jetojnë në qytete të mëdha, shpesh frenetike dhe shpërndarëse, është e rëndësishme të zhyten për pak kohë në natyrë. Papa Benedikti XVI, në lutjen e Engjëllit të Zotit të 17 korrikut 2005 në malet e Les Combes në Luginën e Aostës, e kujtoi këtë nevojë, që nuk është aspak e dorës së dytë.
Në botën në të cilën jetojmë, bëhet pothuajse domosdoshmëri të jesh në gjendje të rimbushësh bateritë e tua në trup dhe në shpirt, veçanërisht për ata që jetojnë në qytete, ku kushtet shpesh frenetike të jetesës lënë pak hapësirë ​​për heshtje, reflektim dhe kontakt çlodhës me natyrën. Edhe pushimet janë ditë, në të cilat mund t'i kushtoni më shumë kohë lutjes, leximit dhe meditimit mbi kuptimet e thella të jetës, në kontekstin e qetë të familjes dhe të dashurve tuaj. Koha e pushimeve ofron mundësi unike për t'u ndalur para spektakleve sugjestive të natyrës, "libër" i mrekullueshëm brenda mundësive të të gjithëve, të rinj dhe të moshuar. Në kontakt me natyrën, njeriu gjen përmasën e tij të duhur, rizbulon veten si krijesë, e vogël, por në të njëjtën kohë, e pashoqe, "e aftë për Zotin" sepse lindi e jeton në gjirin e Pafundësisë!
Françesku: në pushime thellohet shtegtimi shpirtëror
Pushimet janë kohë edhe për të thelluar shtegtimin tuaj shpirtëror! Në Engjëllin e 6 gushtit 2017, Papa Françesku ftonte, posaçërisht, për ta përshkuar shtegun gjatë rrugëve, ndërmjet destinacioneve dhe vendeve turistike.
Koha verore është çast providencial për rritjen e angazhimit tonë në kërkimin e në takimin me Zotin. Në këtë periudhë, nxënësit janë të lirë nga angazhimet shkollore, po kështu, dhe shumë familje, që kalojnë pushimet; prandaj është e rëndësishme që në periudhën e pushimit dhe të shkëputjes nga profesionet e përditshme, forca e trupit dhe e shpirtit të mund të rikthehet, duke thelluar shtegtimin shpirtëror. (...) Nëna jonë dhe Nëna e Zotit na ndihmoftë të hyjmë në harmoni me Fjalën e Krishtit, në mënyrë që Ai të bëhet drita dhe udhërrëfyesi i gjithë jetës sonë. Po ia besojmë Asaj pushimet e të gjithëve, në mënyrë që të jenë të qeta dhe të frytshme, por mbi të gjitha, verën e atyre që nuk mund të marrin pushime, sepse i pengon mosha, kanë arsye shëndetësore ose pune, kufizime ekonomike ose probleme të tjera, në mënyrë që të jetë ende një kohë çlodhjeje, e gëzuar nga prania miqësore dhe çastet e gëzueshme.
Për Papët, pra, shkëputja nga puna në koën e verës është kohë pushimi dhe çlodhjeje, por edhe periudhë për meditim, për të qenë në harmoni me Fjalën e Zotit. Në këtë harmoni, pushimi mund të shndërrohet në një shtegtim për të ndeshur, në heshtjen e brendshme dhe ndërmjet majave të shpirtit e të natyrës, shikimin plot dashuri të Zotit.