Papa viziton një shtëpi pushimi për të moshuarit: "Ju jeni shenja shprese"
R.SH. / Vatikan
Të lumtura dhe të qeshura, gratë e moshuara, rreth 20 në numër, duke nisur nga mosha 80 deri në 101 vjeç, pritën Papën Leoni sot, më 21 korrik, rreth orës 10:30 të mëngjesit në azilin për të moshuarit "Santa Marta" në Castel Gandolfo. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë e përshkruan kështu vizitën e Papës: "U prit nga bashkësia e murgeshave dhe, i shoqëruar nga eprorja, ndaloi për një lutje në kapelë. Pastaj përshëndeti banorët, duke biseduar me to dhe me murgeshat.
Kohë për lutje
"Pas përshëndetjes nga një infermiere e re - shkruhet në tekst - dhe pasi u lut së bashku, me disa këngë, Papa u drejtoi pak fjalë të gjithëve". U kthye tek temat e këngëve të dëgjuara dhe tek Ungjilli i djeshëm nga Luka, i përqendruar tek figura e Martës dhe Marisë, pastaj i nxiti të gjitha të “shfrytëzojnë këtë kohë të jetës, për të jetuar në përmasën e Marisë, duke dëgjuar fjalën e Jezusit dhe duke u lutur”.
Pasi i falënderoi të gjithë për lutjet, Papa Leoni XIV theksoi rëndësinë e tyre, “shumë më të madhe nga ç’mund të përfytyrohet”. “Mosha nuk bën dallim: është Jezusi”, shtoi Prevost, “që dëshiron të na afrohet, që bëhet mysafiri ynë, që na fton të jemi dëshmitarë, qofshim të rinj a jo aq të rinj”.
Dëshmitarë të fesë
“Ju jeni shenja shprese” - përfundoi Papa - “dhatë kaq shumë në jetë”. Ftesa e Leonit XIV është të vazhdojmë “të jemi dëshmitarë të lutjes e të fesë”: familje, që i jep Zotit, atë që ka. Pasi thanë së bashku Lutjen e Tënzot, Papa qëndroi edhe pak për të vizituar objektin e më pas u kthye në Villa Barberini, para orës 11:30 të paradites. Shtëpia e strehimit të pleqve drejtohet nga Motrat e Shën Martës, një kongregat rregulltare e themeluar nga i Lumi Tommaso Reggio më 15 tetor 1878. Motrat rregulltare janë në Castel Gandolfo që nga viti 1946.
"Qëllimi i apostullimit tonë" - thuhet në faqen e tyre të internetit - "është t'u ofrojmë grave të moshuara mikpritje paqësore, në një mjedis dinjitoz. Një vend ku ato mund të gjejnë edhe prehje për shpirtin, vend heshtjeje dhe lutjeje, mirëseardhjeje dhe thjeshtësie, si në Betani".