ÐÓMAPµ¼º½

FILES-DRCONGO-UNREST

Papa për masakrën në kishën e RD të Kongos: gjaku i këtyre martirëve, farë paqeje

Telegram i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, drejtuar kreut të ipeshkvijve të vendit, në të cilin Papa shpreh ngushëllimet e tij për sulmin e djeshëm, më 27 korrik, në kishën e Bienheureuse-Anuarite në fshatin Komanda, i cili shkaktoi mbi dyzet të vdekur. "Kjo tragjedi", pohon Papa, "na nxit edhe më shumë të punojmë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të popullsisë së munduar të këtij rajoni"

R.SH. – Vatikan

         "Shqetësim" dhe "pikëllim i thellë" për sulmin kundër kishës në Komanda të Republikës Demokratike e Kongos, natën e djeshme, më 27 korrik, në pjesën lindore të vendit. Këto janë ndjenjat e shprehura nga Papa Leoni XIV në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar kreut të Konferencës Ipeshkvnore Kongoleze, imzot Fulgence Muteba Mugalu, kryeipeshkëv metropolit i Lubumbashit.

Tronditje dhe pikëllim i thellë

Papa shpreh ngushëllimet për "sulmin kundër famullisë Bienheureuse-Anuarite të Komandës në provincën e Iturit, i cili shkaktoi vdekjen e shumë besimtarëve të mbledhur për kultin". Ai bashkohet "me zinë e familjeve dhe të bashkësisë së krishterë të prekur rëndë, duke shprehur afërsinë e tij me ta dhe duke i siguruar për lutjet e tij".

"Kjo tragjedi na shtyn edhe më shumë të punojmë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të popullit të munduar të këtij rajoni", pohon Leoni XIV.

Gjaku i martirëve qoftë farë paqeje

Pas këtij episodi brutal në një rajon ku, për fat të keq, këto sulme terroriste ndodhin shpesh, Papa uron stabilitet e paqe, si edhe lutet që gjaku i këtyre martirëve të jetë farë paqeje, pajtimi, vëllazërimi dhe dashurie për të gjithë popullin kongolez. Së fundi, Papa i dërgon bekimin e tij apostolik famullisë Bienheureuse-Anuarite të Komandës, dhe në veçanti "familjeve në zi, bijve dhe bijave të Republikës Demokratike të Kongos e gjithë kombit".

28 korrik 2025, 15:49