Papa: të dëmtosh tokën është mëkat, duhet drejtësi mjedisore
R.SH. / Vatikan
Është shqyrtim i imtë dhe thellësisht realist, ai i Papës Leoni XIV në mesazhin kushtuar Ditës X Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit, që kremtohet më 1 shtator. Mesazh kushtuar temës “Farët e Paqes dhe të Shpresës”, zgjedhur nga Papa Françesku e me rastin e dhjetëvjetorit të botimit të enciklikës Laudato si’, e cila të kujton Jubileun e Shpresës, që po e jetojmë.
“Toka në rrënim”
Në tekstin e botuar sot, 2 korrik, Papa Leoni XIV hedh dritë mbi situatën në pjesë të ndryshme të botës ku “shpyllëzimi, ndotja, humbja e biodiversitetit” janë të përhapura për shkak të padrejtësisë, pabarazisë, lakmisë dhe “shkeljes së së drejtës ndërkombëtare e edhe të të drejtave të popujve”. “Toka jonë”, shkruan Leoni XIV, “po bie në rrënim”. Fenomenet ekstreme natyrore, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pasojë e veprimtarive njerëzore, po rriten në forcë dhe frekuencë.
Luftërat për burimet natyrore
Shqetësimi i Papës Prevost bëhet më i rëndë, kur kujton se ka “efekte afatmesme dhe afatgjata të shkatërrimit njerëzor dhe ekologjik, shkaktuar nga konfliktet e armatosura”, e edhe mungesë ndërgjegjësimi kur shkatërrimi i natyrës prek, mbi të gjithë “më të varfrit, të përjashtuarit, sepse të padëshiruarit”. “Vuajtjet e bashkësive indigjene janë emblematike në këtë kontekst” - vëren Leoni XIV. “Në këto dinamika, krijimi shndërrohet në fushë beteje për kontrollin e burimeve jetësore, siç dëshmohet nga zonat bujqësore dhe pyjet, të rrezikshme për shkak të minierave, politikës së ‘tokës së djegur’, konflikteve që shpërthejnë rreth burimeve të ujit, shpërndarjes së pabarabartë të lëndëve të para, duke penalizuar popullatat më të ligshta dhe duke minuar vetë stabilitetin shoqëror”.
Ta ruajmë kopshtin e botës
“Këto plagë të ndryshme janë pasojë e mëkatit”, shkruan akoma Papa Leoni XIV. Prej këndej, ftesa për të lexuar tekstet biblike që na ftojnë ta kultivojmë dhe të kujdesemi për kopshtin e botës, që nënkupton “marrëdhënie reciprociteti të përgjegjshëm ndërmjet qenieve njerëzore dhe natyrës”. Të ruash, do të thotë edhe të bësh të rriten farat të cilat, më pas, mbijnë me forcë shpërthyese edhe në vende të papritura. Papa Leoni thekson se “në Krishtin jemi fara” paqeje dhe shprese e, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, shkretëtira e thatë bëhet kopsht qetësie.
Kujdesi për Krijimin, çështje e fesë dhe e humanizmit
Drejtësia ambientale nuk mund të konsiderohet më koncept abstrakt ose qëllim i largët, por “nevojë urgjente, që shkon përtej mbrojtjes së thjeshtë të ambientit”. Është fjala për drejtësi sociale, ekonomike dhe antropologjike: “Për besimtarët, për më tepër, është nevojë teologjike që, për të krishterët, ka fytyrën e Jezu Krishtit, në të cilin gjithçka u krijua dhe u shëlbua. Në një botë ku më të brishtët janë të parët që vuajnë efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, të shpyllëzimit dhe ndotjes, kujdesi për krijimin bëhet çështje besimi dhe humanizmi”.
Nisma Borgo Laudato si’
Leoni XIV kujton më pas projektin “Borgo Laudato si’”, të cilin Papa Françesku ia la trashëgim Castel Gandolfos, “si farë që mund të japë fryte drejtësie dhe paqeje”. Një shembull “se si mund të jetohet, të punohet dhe të ndërtohen bashkësitë, duke zbatuar parimet e enciklikës Laudato si’”. Si përfundim, shpresojmë se enciklika e Papës Françesku do të vazhdojë të frymëzojë, që “ekologjia integrale të zgjidhet gjithnjë e më shumë si rrugë për t’u ndjekur”, për të shumëzuar farat e shpresës, për t’i “ruajtur dhe për t’i kultivuar”, shkruan Leoni XIV mesazhin kushtuar Ditës X Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit, që kremtohet më 1 shtator të ardhshëm.