MAP

Papa pret Zelensky-n, riafirmohet gatishmëria për bisedime në Vatikan

Presidenti ukrainas u prit nga Papa në Castel Gandolfo, në rezidencën e tij verore të Vilës Barberini. Diskutimet u përqendruan në urgjencën e "rrugëve të drejta dhe të qëndrueshme drejt paqes" e me dialogun, si rrugë e preferuar. Papa shprehu dhimbjen për viktimat dhe inkurajimin e "çdo përpjekjeje" për të liruar të burgosurit. Kreu i shtetit u kujtoi gazetarëve se i kishte kërkuar Selisë së Shenjtë ndihmë për riatdhesimin e të miturve ukrainas nga Rusia dhe siguroi angazhimin e tij "për t'i dh

R.SH. / Vatikan

"Rrugë të drejta dhe të qëndrueshme drejt paqes", dialog për t'i dhënë fund armiqësive, lutje dhe afërsi me popullin ukrainas, përpjekje për të liruar të burgosurit dhe "gatishmëri për të mirëpritur përfaqësuesit e Rusisë e të Ukrainës në Vatikan për bisedime". Këto ishin temat qendrore të takimit të sotëm, 9 korrik, në Castel Gandolfo, ndërmjet Papës Leoni XIV dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidentit ukrainas ndodhet që sot në Itali për takimin e katërt ndërkombëtar të Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës, që zhvillohet në qendrën e konferencave La Nuvola në  EUR, në Romë, më 10 dhe 11 korrik. Zelensky pasdite u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella por, sapo zbarkoi në Romë, ai deshi të shkonte në Castel Gandolfo për t'u takuar me Leonin XIV.

Leoni XIV etZelenksy
Leoni XIV etZelenksy   (ANSA)

Mikpritja në Vilën Barberini e biseda me Papën

Takimi - i dyti ndërmjet të dyve - u mbajt në rezidencën papnore në Castel Gandolfo. Zelensky arriti pak pas orës 13:30. I veshur tërësisht me të zeza, u prit nga Regjenti i Prefekturës së Familjes Papnore, Imzot Leonardo Sapienza, i cili e shoqëroi deri në hyrje të rezidencës papnore për takimin me Leonin XIV. Në qendër të "bisedës së përzemërt" private, - thuhet në një deklaratë të Selisë së Shenjtë - "vlera e dialogut u riafirmua si mënyra më e mirë për t'i dhënë fund armiqësive. Ati i Shenjtë Prevost shprehu keqardhjen për viktimat dhe përtëriu lutjet e afërsinë e tij për popullin ukrainas, duke inkurajuar çdo përpjekje që synon lirimin e të burgosurve dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta". "Ati i Shenjtë”, thekson deklarata, "ripohoi gatishmërinë e tij për të mirëpritur përfaqësuesit e Rusisë dhe të Ukrainës në Vatikan, për bisedime".

Dhurata e Presidentit për Papën

Zelensky i solli një dhuratë Papës: një album kushtuar traditës ikonografike ukrainase, me kryeveprat më të famshme nga shekulli i 11-të deri në shekullin e 18-të.

Leoni XIV e Zelensky
Leoni XIV e Zelensky   (ANSA)

Së bashku, duke shikuar nga ballkoni

Rreth orës 14:00, Papa dhe Presidenti u dukën së bashku në ballkonin e Vilës Barberini, në Castel Gandolfo, ku valëvitej flamuri bardh-e-verdh i Qytetit të Vatikanit. Të dy përshëndetën turmën e vogël - kryesisht gazetarë - ulur në rrugë, nën vapën përvëluese, lehtësuar nga flladi i Liqenit Albano. “Mirëdita, Shenjtëria Juaj!” thirri një grua. “Mirëdita, mirëdita!” u përgjigj Papa Leoni.

Fjalët e Zelensky-t gazetarëve

Pesë minuta më vonë, Zelensky, duke zbritur në oborr, shkëmbeu një bisedë të shkurtër me një grup të vogël gazetarësh: "Jam shumë mirënjohës ndaj Shenjtërisë së Tij për këtë takim, për pritjen tonë dhe sigurisht për ndihmën e tij, për ndihmën e Vatikanit. Kjo ndihmë shndërrohet në "lutje"", tha kreu i shtetit të Ukrainës, por mbi të gjitha, në ndihmën për riatdhesimin e të miturve ukrainas, të transportuar me forcë në Rusi.

Zelensky i ka kërkuar gjithnjë Selisë Shenjte mbështetje për këtë mision, si dhe për lirimin e të burgosurve. Një "mekanizëm", siç e ka quajtur Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin në raste të ndryshme, që u krijua falë vizitës së Kardinalit Matteo Maria Zuppi në Kiev dhe në Moskë (më pas edhe në Uashington e Pekin) në vitin 2023, kërkuar nga Papa Françesku. Falë kësaj, disa fëmijë dhe adoleshentë u riatdhesuan, e edhe disa të burgosur, ndërmjet të cilëve - në qershor 2024 - dy rregulltarëve redemptoristë Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta. Vetë Zelensky falënderoi publikisht Selinë e Shenjtë për përpjekjet e saj.

Sot, në Castel Gandolfo, presidenti Zelensky ripohoi mirënjohjen e tij dhe kërkoi ndihmë për kthimin e "fëmijëve tanë" tek të afërmit e tyre në Ukrainë. "Është çështje shumë e rëndësishme që diskutuam me Papën, në një çast shumë të rëndësishëm" - tha Zelensky në përfundim  të audiencës me Leonin XIV. "Natyrisht", shtoi, "duam paqe, duam që lufta të mbarojë dhe sigurisht që mbështetemi shumë te Vatikani, në mënyrë që Vatikani dhe Shenjtëria e Tij të na ndihmojnë me një takim të nivelit të lartë ndërmjet udhëheqësve, për t'i dhënë fund kësaj lufte".

Rreth orës 14:10, Zelensky dhe delegacioni i tij – në të cilin bënte pjesë, ndër të tjerë, ambasadori ukrainas pranë Selisë së Shenjtë, Andrii Yurash, dhe kreu i zyrës presidenciale, Andriy Yermak - u larguan nga Castel Gandolfo.

Takimi i mëparshëm dhe telefonata

Kjo është hera e dytë, siç u përmend, që Papa dhe presidenti ukrainas  takohen privatisht. E para ishte audienca më 18 maj, menjëherë pas Meshës që shënonte përurimin e papnisë, ku Zelensky mori pjesë me gruan e tij, Olena Zelenska. Në përfundim  të kremtimit kreu i shtetit u prit nga Papa në Aula Piccola të Sallës Pali VI,në Vatikan, menjëherë pas Dina Ercilia Boluarte Zegarra, presidente e Perusë. Pas këtij takimi, Zelensky njoftoi, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në platformën X, se e kishte falënderuar Papën për fjalët kushtuar Ukrainës gjatë lutjes mariane të Mbretershës Qiellore të dielën e kaluar, veçanërisht "mbi nevojën për një paqe të drejtë".

Disa ditë më parë, më 12 maj, pati një telefonatë ndërmjet të dyve, bërë publike nga udhëheqësi i Kievit i cili, përsëri në platformën sociale X, shkroi se e kishte ftuar Papën në Ukrainë: "Një vizitë e tillë - shkruhej në postim - do t'i ngjallte shpresë të vërtetë të gjithë besimtarëve dhe të gjithë popullit tonë".

09 korrik 2025, 17:11