Papa pret Kryeministren Meloni, takimi i parë zyrtar në Vatikan
R.SH. / Vatikan
Presidentja e Këshillit të Ministrave italianë, Giorgia Meloni, u prit në audiencë sot paradite nga Papa Leoni XIV, në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Është takimi i parë zyrtar i Kryeministres italiane, e sapoardhur nga Samiti i NATO-s i 24 dhe 25 qershorit në Hagë me temën e shpenzimeve ushtarake - dhe Papës, që sot paradite ishte i zënë me një numër të madh audiencash. Ndërmjet të tjerave - me Kardinajtë Luis Antonio G. Tagle dhe Paul Emil Tscherrig, anëtarë të Komisionit të Kardinajve për IOR; ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës; dhe Emine Erdogan, me gruan e Presidentit të Turqisë.
Takime dhe bisedë telefonike
Ishte audienca e parë e Papës me Kryeministren italiane, ndonëse të dy ishin takuar edhe më parë: në Meshën për fillimin e papnisë, më 18 maj, së pari, pastaj me rastin e Jubileut të sundimtarëve më 21 qershor, me një përshëndetje të shpejtë mes Melonit e Papës. E edhe më heret, më 15 maj, për të qenë të saktë, pati një bisedë telefonike ndërmjet të dyve, që u bë e njohur nga Palazzo Chigi, përqendruar tek bisedimet e mundshme të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
Për Ukrainën Giorgia Meloni foli edhe në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, gjatë bisedës - pas asaj me Papën - me Kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Një deklaratë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë pohon se gjatë “diskutimeve të përzemërta” u nënvizuan “marrëdhëniet e mira ekzistuese” ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë dhe u theksua “angazhimi i përbashkët për paqen në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme si dhe ndihma humanitare në Gaza”. Në vazhdim të bisedës, lexohet në njoftim, “u trajtuan disa çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështje tjera me interes për Kishën dhe shoqërinë italiane”.
Audienca në Vatikan
Kryeministrja e Italisë mbërriti, siç u përmend, para orës 11:30, në Cortile di San Damaso duke kaluar nëpër Via della Conciliazione. U prit nga regjenti i Prefekturës së Familjes Papnore, Imzot Leonardo Sapienza. Meloni shoqërohej nga një delegacion prej njëmbëdhjetë anëtarësh, përfshirë zëvendëskryeministrat Antonio Tajani dhe Matteo Salvini dhe nënsekretarin e Presidencës së Këshillit të Ministrave italianë, Alfredo Mantovano.
Papa Loni XIV e priti kryeministren në Sala del Tronetto, në Vatikan: “Gëzohem që po Ju njoh”: me këtë shprehje e nisi Papa bisedën. Pastaj në Bibliotekë takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, që përfundoi me foto dhe shkëmbim dhuratash. Ndërmjet tyre, nga kryeministrja, një pikturë e vitit 1600 e Universitetit Papnor Angelicum, ku vetë Prevost pati marrë diplomën në të Drejtën Kanonike.
Duke ia dorëzuar dhuratën, Meloni kujtoi kulturën e madhe fetare të institutit. Papa ia ktheu me një vëllim mbi Shën Augustinin. Në përfundim, një cekje për samitin mbi sigurinë ushqimore, që do të mbahet në fund të korrikut në Etiopi, një shtrëngim duarsh i ri dhe urimi për “punë të mbarë!”.