MAP

Papa Leoni XIV gjatë dialogut të tij me fëmijët e Qendrës Verore të Vatikanit, në sallën Pali VI Papa Leoni XIV gjatë dialogut të tij me fëmijët e Qendrës Verore të Vatikanit, në sallën Pali VI

Papa në dialog me fëmijët: "Ndërtoni ura që në vogëli, kurrë mos nxisni urrejtje"

Pyetje dhe përgjigje të Leonit XIV me fëmijët e Qendrës Verore të Vatikanit, që u takuan dje në Sallën Pali VI. Së bashku me ta, edhe grupi prej rreth 300 studentësh nga Ukraina, të pritur në Itali nga Caritas për pushimet verore.

L'Osservatore Romano

"Që të vegjël mund të mësojmë të ndërtojmë ura dhe të kërkojmë mundësi për t’i ndihmuar të tjerët". Papa Leoni XIV është i bindur për këtë, dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të disa fëmijëve, që i takoi dje në Vatikan, i nxiti të kërkojnë miqësinë me Jezusin duke marrë pjesë në Meshë, duke mirëpritur ata që janë të ndryshëm dhe duke u angazhuar për mbrojtjen e paqes. Rasti ishte vizita e bërë rreth mesditës së djeshme, 3 korrik, në Sallën Pali VI, ku u mblodhën mbi 300 pjesëmarrës të Kampit Veror të Vatikanit, me të cilët qe bashkuar edhe një numër tjetër, i barabartë, bashkëmoshatarësh nga Ukraina, të pritur nga Caritas Italiana.

Duke iu përgjigjur tri pyetjeve, nga tre fëmijë moshash të ndryshme, Papa foli lirisht me të pranishmit, pasi njëri prej udhëheqësve paraqiti nismën, në edicionin e saj të gjashtë. E koordinuar nga prifti salezian Don Franco Fontana dhe e modeluar sipas oratorive të Shën Gjon Bosco-s, parudha e këtij viti është "Tutt'Altro, quando l'Altro è tutto"“Gjithçka ndryshe, kur Tjetri është gjithçka!”, temë e zgjedhur në mënyrë që pjesëmarrësit e rinj të mësojnë të kapërcejnë paragjykimet, në një kohë kur duket gjithnjë e më e ndërlikuar të flasësh, të lidhesh, të ndash fjalë, mendime dhe madje edhe çaste loje e argëtimi së bashku.

Mesha, si fëmijë në Çikago

E para, që iu drejtua Leonit XIV, ishte Giulia, e cila e pyeti nëse kishte shkuar në Meshë si fëmijë. "Sigurisht!" ishte përgjigja e menjëhershme. "Gjithmonë, çdo të diel, me mamin dhe babin". Pastaj, shtoi ai duke lidhur fijen e kujtimeve të fëmijërisë në Çikago, “që nga mosha 6 vjeç a më shumë isha edhe ndihmës i altarit në famulli e kështu, para se të shkoja në mësime, në shkollë, e cila ishte shkollë famullie, kishte meshë në orën 6:30 të mëngjesit dhe mami gjithmonë na zgjonte dhe na thoshte: “Hajde të shkojmë në Meshë”. E pastaj, edhe shërbesa e Meshës ishte diçka që më pëlqente shumë, sepse që kur isha fëmijë më kishin mësuar se Jezusi është gjithmonë pranë, se miku më i mirë është gjithmonë Ai; “dhe ajo meshë ishte mënyrë për ta gjetur këtë mik, për të qenë me Jezusin, edhe para se të bënim Kungimin e Parë”.

Në këtë drejtim, Papa Prevost kujtoi se në atë kohë kremtimi “ishte në latinisht”. Por më vonë, kur linda dhe jetova në Shtetet e Bashkuara, ndryshoi në anglisht”, komentoi. Ndonëse gjëja më e rëndësishme “nuk ishte aq shumë në cilën gjuhë kremtohej, por të kishe   përvojën e takimit me fëmijë të tjerë, që shërbenin meshën së bashku”; pra “gjithmonë miqësi, dhe pastaj kjo afërsi me Jezusin në Kishë”. “Kështu ishte gjithmonë një gjë shumë e bukur".

Të mirëpresësh kë është i ndryshëm, duke ndërtuar ura

Pastaj Edoardo mori mikrofonin dhe duke kujtuar temën e Kampit Veror për Fëmijë në Vatikan, e pyeti Papën nëse është e mundur që fëmijët t'i mirëpresin ata që janë të ndryshëm. Duke iu përgjigjur, Leoni XIV përshëndeti së pari grupin nga Ukraina në anglisht - "përvoja të tilla, të takimit me njëri-tjetrin, që vijnë nga vende të ndryshme, toka të ndryshme, gjuhë të ndryshme, janë shumë të rëndësishme", shpjegoi, duke i nxitur të jetojnë "përvojën e takimit me njëri-tjetrin, të respektimit të njëri-tjetrit, të miqësisë me njëri-tjetrin". E pastaj vazhdoi në italisht për t'i bërë të pranishmit e tjerët të kuptojnë se si Ukraina është "tokë që vuan kaq shumë për shkak të luftës".

E, duke u përqendruar pikërisht në dallimet që sigurisht ekzistojnë ndërmjet dy grupeve që takoheshin, nisur nga gjuha e folur dhe vështirësia që rrjedh nga të kuptuarit me njëri-tjetrin, kujtoi se "megjithatë, kur gjejmë mundësinë për një takim, për t'u takuar me tjetrin, është shumë e rëndësishme të mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin, të mos përqendrohemi te dallimet, por të shohim si ta jetojmë një takim me respekt për tjetrin, të ndërtojmë ura, të ndërtojmë miqësi, të pranojmë se të gjithë mund të jemi miq, vëllezër, motra dhe se në këtë mënyrë mund të ecim së bashku dhe të shkojmë përpara”.

Papa nuk i fshehu vështirësitë. “Ndonjëherë duhet një përpjekje e veçantë”, vërejti, sepse dëgjon edhe shprehje të tilla: “Po ai nuk është si unë, por ajo është ndryshe… Ai nuk flet si unë… Mua më duket ndryshe…”; e megjithatë - sqaroi - duhet “të mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin, ta dimë se të gjithë mund ta përjetojmë takimin dhe të jetojmë si miq”. E, sidomos, ta mirëpresim atë që është i ndryshëm e të ndërtojmë, kështu, ura!

04 korrik 2025, 16:40