Papa lutet për viktimat e tajfunit në Tajvan dhe dërgon ndihma
Papa u informua për dëmet e shkaktuara nga cikloni tropikal dhe i kërkoi Zyrës së Lëmoshëtarisë Apostolike të ofrojë mbështetje për ata që u prekën nga fatkeqësia
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV u informua për viktimat dhe dëmet e shkaktuara në Tajvan nga tajfuni Danas që goditi me dhunë ditët e fundit zonat ishullore, "lutet për ata që janë prekur" dhe i kërkoi Zyrës së Lëmoshëtarisë Apostolike të "dërgojë ndihmë konkrete për popullsinë". Kështu bëri të ditur drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, për gazetarët.
Cikloni tropikal që goditi bregun tajvanez la pas një gjurmë shkatërrimi. Dy të vdekur, deri më tani, janë konfirmuar, ndërsa mbi 500 janë të lënduar, shumë prej të cilëve u goditën nga mbeturina dhe shembje strukturore ose u përfshinë në aksidente rrugore gjatë kalimit të ciklonit tropikal. Sipas bilanceve të para, më shumë se 3 mijë persona janë evakuuar.
16 korrik 2025, 15:46