Papa kujton kardinalin Dri: bari bujar që ia kushtoi jetën Zotit
R.SH. / Vatikan
Një "bari bujar, shumë i vlerësuar nga Papa Françesku" i cili "për vite me radhë ia kushtoi jetën shërbimit të Zotit dhe Kishës si rrëfyes dhe drejtues shpirtëror". Kështu Papa Leoni XIV e kujton figurën dhe shërbimin e kardinalit Luis Pascual Dri, fratit kapuçin argjentinas, i cili ndërroi jetë më 30 qershor në moshën 98-vjeçare në Buenos Aires.
Një figurë e njohur sepse është përmendur disa herë nga Jorge Bergoglio gjatë papnisë së tij, si shembull dhe model mëshire dhe mirëpritjeje ndaj kujtdo që i afrohej rrëfyestores, ku frati – i bërë kardinal në vitin 2023 – kalonte ditë të tëra.
Në një mesazh drejtuar kryeipeshkvit të Buenos Airesit, Jorge Ignacio García Cuerva, dhe të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Pietro Parolin, Papa Leoni XIV shpreh "ngushëllimet më të thella", drejtuar anëtarëve të komunitetit të Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, familjarëve të të ndjerit, klerit, komuniteteve rregulltare dhe besimtarëve të Kryedioqezës argjentinase. Papa "lutet" për shpirtin e kardinalit "që Zoti Jezus t'i japë kurorën e lavdisë që nuk thahet".
Funerali i Atë Dri mbahet sot në orën 9 (ora 14 në Evropë) në Shenjtëroren e Nuestra Señora del Rosario de Nueva Pompeya, në Buenos Aires, ku kardinali ishte tërhequr në vitin 2007 në moshën 80-vjeçare dhe ku vazhdonte të kremtonte Sakramentin e Pajtimit. Në të njëjtën Shenjtërore të Zojës, para trupit të tij të pajetë, janë mbajtur disa kremtime dhe momente lutjeje për shpirtin e kardinalit që, në çdo mbrëmje kërkonte ndjesë para Krishtit në Tabernakullin e Shenjtë të Eukaristisë për zgjidhjet e shumta të mëkateve të besimtarëve. E përsëriste, në gjunjë para Krishtit: "Ishe Ti, o Jezus, që ma dhe shembullin e keq!".