Roberto, famullitari "jovencito", që të gjithë e donin pranë tyre në Trujillo
R.SH. – Vatikan
Në Trujillo, anekdota më e përhapur për Robert Francis Prevost është se ditëlindja e tij festohej të paktën pesëmbëdhjetë herë. Një herë me sivëllezërit augustinianë, një herë në famulli, një herë me një çift të moshuarish dhe shumë herë me familjet, të cilave u shërbente. Të gjithëve u pëlqente të kalonin orë të tëra në festë me këtë gringo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tejet i edukuar dhe i rezervuar, i karakterizuar nga inteligjenca e mprehtë dhe intuita tipike e një njeriu me aftësi udhëheqëse. "Njeri i afërt, por edhe kërkues", kujton augustiniani, atë Juan. "Njeri i mirë", nënvizon María, sakristane e famullisë së Shën Ritës së Kashës. "Një jovencito (i ri) i përvuajtur dhe i sjellshëm", kujton Ivonne.
Trujillo, kryeqendra e rajonit La Libertad në Perunë veriore, krenohet me njëmbëdhjetë vjet lidhje me njeriun e njohur në botë sot si Papa Leoni XIV. "Ka kaluar më shumë kohë këtu sesa në Chiclayo", bëjnë shaka vendasit - por jo edhe aq - duke përmendur "rivalitetin" me dioqezën ku Prevost shërbeu si ipeshkëv. Misionari i Çikagos mbërriti në Trujillo në vitin 1987 dhe formoi augustinianët e ardhshëm në Vikariatin e San Juan de Sahagún. Më vonë, shërbeu si profesor universiteti dhe famullitar, sidomos në kishën e Shën Ritës dhe në atë të Nuestra Señora de Montserrat, ku besimtarët e kanë dashur shumë, para se të zgjidhej në Selinë e Shën Pjetrit.
Një vend vështirësish dhe kontradiktash
Trujillo është vend kontradiktash. Kontradikta arkitekturore, me ndërtesat e tij të lashta, me një nga sheshet më të mëdha në kontinent, me një katedrale madhështore, por, në më pak se 20 minuta larg me makinë, lagje të varfra me shtëpi të rrënuara dhe lagje të tëra të ndërtuara me baltë. Kontradikta urbane, me bregdete magnet për turistët, por përballë tyre, tezga frutash e minimarket të shkreta. E, së fundmi, kontradikta sociale, me biznese të lulëzuara dhe super të pasur, që shkojnë në restorante me yje Michelin, por edhe me nivele të larta kriminaliteti, makina të bllokuara nga trafiku, njerëz me fëmijë të vegjël për dore, që përpiqen të shesin qese me simite dhe kokoshka.
Në zemrat e vëllezërve
Prevost i ka parë dhe i ka përjetuar të gjitha këto, duke u zhytur në jetën shoqërore dhe kishtare të Trujillo-s, siç pati bërë vite më parë kur mbërriti për herë të parë në Chulucanas. Në Shtëpinë e Augustinianëve, në Avenida La Marina, sivëllezërit e mirëmbajnë dhomën e "Roberto-s" sikur të ishte ndonjë relike: tunika e tij e zezë dhe stola liturgjike e qëndisur me stemën e Shën Augustinit, varur në kanatën e dollapit; kodi i së Drejtës Kanonike, botim i vitit 1983, në komodinën pranë shtratit, ndërmjet një kryqi dhe fugures së Zojës së Këshillit të Mirë; fletore të hapura në tavolinë, me shënime, si edhe letra me firmën në shkrim dore: Robert Francis Prevost, OSA.
Në kapelën poshtë, atë Prevost kremtonte meshën çdo ditë. Ruhet stoli ku ulej për t'u lutur e shihen qartë dritaret me vetratat e importuara nga SHBA-ja. Një pllakë në mur ka fotografinë dhe mbishkrimin: "Luis M. Prevost, bienhector, amigo y hermano". Është homazh për babain e Papës aktual, bamirës i bashkësisë ku djali i tij ishte mësues i novicëve, të cilëve u dërgonte një kartolinë me urime për ditëlindjen. Të rinjve, që po formoheshin si augustinianë të ardhshëm, i pyestë gjithnjë si ndiheshin, nëse arrinin të luteshin si duhet, i dëgjonte me buzëqeshje, mendohej para se të fliste dhe i maste fjalët sa herë që i duhej t’i bënte ballë ndonjë situate të padrejtë. Novicët e atëhershëm tregojnë se ishte edhe kërkues, i donte të mirëformuar sidomos nga ana akademike, por dëshironte që të kishin marrëdhënie të mira me Zotin. Ai vetë ishte i pari, që hynte në kapelë çdo mëngjes.
Të gjithë bij e vëllezër të tij
Mesazhe - shumë mesazhe - erdhën edhe nga famullitë e Shën Ritës dhe të Zojës së Montserratit, pas 8 majit, ditës së zgjedhjes së Papës. Ato realizuan një poster të madh me fytyrën e Papës, rrethuar nga fraza urimesh e lutjesh. Në famullinë e Shën Ritës, posteri është vendosur në një kuti druri në një cep të kishës së vogël. Këtu u organizua mbrëmja 24-orëshe me vallëzim dhe këngë në nder të "Papës peruvian", videot e së cilës u bënë virale në mediat sociale. Besimtarët tregojnë se atë Prevosti ishte "burrë fisnik, famullitar i mirë, gati për çdo gjë që i kërkohej, kudo që të ishte. I donte shumë fëmijët, i respektonte gratë dhe ishte i barabartë me të gjithë. I konsideronte bij, vëllezër, familje. Besimtarët kanë shumë fotografi, që dëshmojnë praninë e Papës së ardhshëm në festat dhe gëzimet e tyre, kur ishte ende një i ri, që u paraqit para tyre me pantallona jeans, duke u thënë ta quanin thjesht atë Roberti.