MAP

2025.07.29 Influencer e Missionari Digitali

Papa, influencërve: të jeni "agjentë të bashkimit" në një botë të shkatërruar nga lufta

Në fund të meshës së kryesuar nga kardinali Tagle në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut kushtuar misionarëve dixhitalë, Leoni XIV, në një përshëndetje në tri gjuhë, i nxiti të rinjtë të "riparojnë rrjetet", duke kumtuar paqen në "vendet dramatike të luftës", si edhe në "zemrat e zbrazura të atyre, që e kanë humbur kuptimin e ekzistencës". "Bukuria" dhe "drita e së vërtetës" janë çelësat për të kapërcyer logjikën e "lajmeve sipërfaqësore" dhe të "lajmeve të rreme"

R.SH. – Vatikan

"Shkoni dhe riparoni rrjetat".

Thirrja e parë u vjen apostujve mes rrjetave të prishura, kur duart e tyre po i riparonin me durim. Sot, dy mijë vjet më vonë, një rrjet tjetër kërkon kujdes: është interneti, një rrjet i brishtë lidhjesh dhe zërash, që çdo ditë tregon për një botë "të shkatërruar nga armiqësia dhe lufta". Riparimi i tij do të thotë "t'i kumtosh paqen botës", të arnosh pëlhurën e shqyer të njerëzimit. Në "vendet dramatike të luftës", si edhe "në zemrat e zbrazura të atyre, që e kanë humbur kuptimin e ekzistencës". Ky është mandati, që Papa Leoni XIV ua besoi sot influencërve të kohës sonë: të jenë "agjentë të bashkimit", të aftë jo vetëm për të riparuar, por edhe për të thyer - kur është e nevojshme - logjikën e shterpët të "përçarjes dhe të polarizimit". Duke e bërë virale "bukurinë" dhe "dritën e së vërtetës".

Papa mbërriti në Bazilikën e Shën Pjetrit pas meshës së kryesuar nga kardinali Luis Antonio Tagle, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, me rastin e Jubileut kushtuar influencërve katolikë dhe misionarëve dixhitalë. 1.100 vetë kanë ardhur në Romë ditët e fundit, nga 146 vende të ndryshme, edhe nga Shqipëria, së bashku me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodajn. Papa Leoni XIV iu drejtua të rinjve në tri gjuhë: italisht, anglisht dhe spanjisht.

  (@Vatican Media)

Paqe në zemra dhe në veprime

"Paqja qoftë me ju!": që nga përshëndetja e tij e parë në Sheshin e Shën Pjetrit, kjo lutje e shoqëron tashmë papninë e Leonit XIV. Sot ai e përsëriti në Shën Pjetër: "Sa shumë kemi nevojë për paqe në këtë kohë të shpërfytyruar nga armiqësia dhe lufta", nënvizoi Ati i Shenjtë, duke shpresuar që ajo të banojë në zemra e të shihet në veprimet e përditshme të secilit.

“Ky është misioni i Kishës: t'i shpallë paqen botës! Paqja që vjen nga Zoti, i cili e ka mposhtur vdekjen, i cili na sjell faljen e Hyjit, i cili na jep jetën e Atit, i cili na tregon rrugën e Dashurisë!”

  (@Vatican Media)

Të ushqejmë shpresën

         Në rastin e influencërve, ky mision realizohet përmes përhapjes së shpresës së krishterë në rrjetet shoqërore e në ambientet dixhitale, si në vendet e luftës, ashtu edhe në zemrat e atyre, që nuk i gjejnë më kuptim jetës, vërejti Papa, duke i nxitur të rinjtë të shkojnë deri në kujftë ekzistencialë të njeriut. Sfida e sotme, theksoi Leoni XIV, është të ruhet humaniteti i kulturës, që karakterizohet tashmë thellësisht nga teknologjia.

         “Shkenca dhe teknologjia ndikojnë në mënyrën tonë të pranisë dhe të bashkëveprimit në botë, madje, deri në atë pikë sa ndikojnë në kuptimin e vetvetes dhe në marrëdhëniet tona me të tjerët e me Zotin. Por asgjë që vjen nga njeriu dhe nga intelekti i tij nuk duhet të përdoret për ta ulur dinjitetin e të tjerëve. Misioni ynë, misioni juaj, është të ushqejmë kulturën e humanizmit të krishterë dhe ta bëjmë këtë së bashku. Për ne, kjo është bukuria e "rrjetit"”.

  (@Vatican Media)

Rrjete, që çlirojnë dhe shpëtojnë

Papa e paraqet sfidën e tij të tretë në spanjisht: “Vayan a reparar las redes,” “Shkoni dhe riparojini rrjetet”. Jo vetëm t’i riparoni, por edhe të ndërtoni të reja.

“Rrjete marrëdhëniesh, rrjete dashurie, rrjete bashkëndarjeje falas, ku miqësia është e vërtetë dhe e thellë. Rrjete ku mund të riparohet çka është prishur, ku mund të shërohemi nga vetmia, jo duke numëruar ndjekësit, por duke përjetuar madhështinë e pafundme të Dashurisë në çdo takim. Rrjete, që u lënë vend të tjerëve më shumë sesa vetes, ku nuk mund të mbyten zërat e më të dobtëve. Rrjete që çlirojnë, rrjete që shpëtojnë. Rrjete, që na ndihmojnë të rizbulojmë bukurinë e të parit sy më sy. Rrjete të së vërtetës. Kështu, çdo histori e së mirës së përbashkët do të jetë nyja e një rrjeti të vetëm, të paanë: rrjeti i rrjeteve, rrjeti i Zotit”.

  (@Vatican Media)
29 korrik 2025, 12:42