Leoni XIV: lutem për të krishterët e persekutuar. Diplomacia është mënyra për t’i zgjidhur konfliktet
R.SH. - Vatikan
Nga njëra anë, Papa shpreh "pikëllim të thellë" për sulmin terrorist "brutal" në një kishë të Republikës Demokratike të Kongos, me masakrimin e mbi 40 të krishterëve - nga ana tjetër, shpreson se edhe në këtë epokë konflikti, "Shpirti i Helsinkit" do të marrë përsëri frymë, ai që i frymëzoi 35 vendet nënshkruese të Aktit përfundimtar - 50-vjetori i të cilit do të kremtohet më 1 gusht - për t'i dhënë fund luftës (e njohur asokohe si Lufta e Ftohtë) dhe për të krijuar një arkitekturë të re gjeopolitike.
Me mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit (shumë prej tyre të rinj, të cilët merrnin pjesë në Jubileun që i kushtohej), të cilët erdhën për të ndjekur audiencën e parë të përgjithshme të së mërkurës pas pushimeve verore, Papa Leoni XIV ndau ndjenjat, pritjet dhe perspektivat e tij për këtë aktualitet, kaq të plagosur nga dhuna.
Dhimbje për sulmin kundër kishës në RD të Kongos
Para së gjithash, Papa kujtoi masakrën që ndodhi natën e 26-27 korrikut në famullinë e Bienheureuse-Anuarite, në fshatin Komanda, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Sulmi "brutal" shkaktoi mbi 40 viktima në duart e ADF, të vrarë në kishë dhe në shtëpitë e tyre.
Ndërsa ia besoj viktimat mëshirës së Zotit, lutem për të plagosurit dhe për të krishterët që vazhdojnë të vuajnë dhunë dhe persekutim në mbarë botën, duke i nxitur ata që kanë përgjegjësi lokale dhe ndërkombëtare të punojnë së bashku për të parandaluar tragjedi të ngjashme.
"Shpirti i Helsinkit"
Leoni XIV, më pas, e përqendroi vëmendjen tek një përvjetor historik: 50-vjetori, më 1 gusht, i nënshkrimit të Aktit Përfundimtar të Helsinkit, dokument i Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE) takim i vitit 1975, në të cilin morën pjesë 35 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Bashkimin Sovjetik, si dhe pothuajse të gjitha shtetet evropiane. Ky ishte një çast vendimtar në procesin e uljes së tensionit ndërmjet bllokut lindor dhe atij perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë, që kodifikoi parime të forta lidhur me detyrën për të respektuar kufijtë shtetërorë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes diplomacisë dhe dialogut. Papa Françesku - e, ashtu si ai, edhe Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin - e quajtën këtë "Shpirt" përballë shkallëzimit të konflikteve dhe tensioneve ndërkombëtare. Të njëjtën gjë bëri edhe Papa Leoni sot, duke e kujtuar, në fund të audiencës, këtë "dëshirë për të garantuar sigurinë në kontekstin e Luftës së Ftohtë" nga ana e 35 vendeve që, duke nënshkruar dokumentin e rëndësishëm, "përuruan një epokë të re gjeopolitike, duke favorizuar afrimin ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit".
Këmbëngulja në dialog, forcim i bashkëpunimit
Helsinki, shton Papa, "krijoi interes të ri për të drejtat e njeriut, me vëmendje të veçantë kushtuar lirisë fetare, që u konsiderua si një nga themelet e arkitekturës së sapolindur të bashkëpunimit nga Vankuveri - në Vladivostok".
Edhe "pjesëmarrja aktive" e Selisë së Shenjtë në Konferencë, e përfaqësuar nga Kryeipeshkvi Agostino Casaroli, "kontribuoi në nxitjen e angazhimit politik dhe moral për paqen".
Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme të ruhet "Shpirti i Helsinkit", të këmbëngulet në dialog, të forcohet bashkëpunimi dhe diplomacia të bëhet rruga e privilegjuar për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.