Leoni XIV, të rinjve peruvianë: Jubileu nuk është vetëm fotografi të bukura, por dëshmi
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni XIV priti sot në audiencë të rinjtë peruvianë, që marrin pjesë në Jubileun e Rinisë, filluar pikërisht sot, së bashku me Jubileun e Misionarëve Dixhitalë dhe të Influencërve katolikë. Kujtojmë se ai do të përfundojë të dielën, me meshën e Atit të Shenjtë në Vatikan.
Gjatë audiencës në Sallën Klementine, Papa komentoi Ungjillin e sotëm me të rinjtë peruvianë, që vijnë nga vendi ku ai vetë ka qenë misionar për më se një dhjetëvjeçar. Dy shëmbëlltyrat ungjillore të liturgjisë së sotme flasin për kokrrën e sinapit dhe për tharmin, “dy elemente”, nënvizoi Ati i Shenjtë, që duken “pothuajse të parëndësishëm. Megjithatë, me forcën jetësore, që mbartin në vetvete, ato mund të transformohen, të rriten dhe t'i shërbejnë qëllimit për të cilin janë krijuar”:
“Edhe ne jemi të vegjël, por nuk jemi vetëm; Zoti ka dashur që të jemi pjesë e një familjeje të madhe, Kishës. Të përfshirë në të, përmes Krishtit, si vile rrushi në hardhi, mund të rritemi dhe të japim fryte, të ndihmuar nga hiri i Tënzot. Shën Agustini flet për këto dy shëmbëlltyra në komentin e tij mbi Psalmin 68, duke shprehur atë fuqi të së voglës, e cila kur rritet, zë rrënjë në një popull, në Popullin e Zotit që përhapet në gjithë tokën”.
Në këto ditë të Jubileut për të Rinjtë, Papa u vuri në dukje peruvianëve se do të ndihen pikërisht pjesë e Popullit të Zotit, e Kishës universale, e cila përqafon gjithë globin, pa dallim race, gjuhe apo kombi, duke u përhapur si sinapi dhe duke u bërë tharm, si tharmi i Ungjillit. Ati i Shenjtë i këshilloi të rinjtë të mos e mbajnë vetëm për vete gjithçka do të përjetojnë gjatë këtyre ditëve, të mos grumbullojnë vetëm fotografi të bukura me të rinjtë e Jubileut, por kur të kthehen në Peru, ta mbushin tokën me gëzimin dhe forcën e Ungjillit, me Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit. Leoni XIV u besoi një mision të rëndësishëm:
“Çantat e shpinës, që ju shoqërojnë gjatë këtyre ditëve, ku mbani vetëm gjërat thelbësore, janë shenjë e misionit që Papa ju beson sot: jini misionarë kudo që të shkoni, jini transparencë e pranisë së Zotit, siç ishin shenjtorët e dashur peruvianë. Zoti ju bekoftë dhe Zoja jonë e Ungjillëzimit ju mbroftë”.