Në përvjetorin e uljes në Hënë, Papa viziton Observatorin e Vatikanit
R.SH. – Vatikan
Paraditen e 20 korrikut, në përvjetorin e shkeljes së njeriut në Hënë, në vitin 1969, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV bëri një vizitë në Observatorin Vatikanas të Castel Gandolfos, ku u interesua për teleskopët dhe instrumentet në kupolat e ndërtesës, që njihet si Specola Vaticana.
Vizita e Papës shënon 56-vjetorin e shkuarjes në Hënë të dy astronautëve amerikanë Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, anëtarë të misionit Apollo 11, që zbarkuan dhe ecën në sipërfaqen hënore për herë të parë në historinë e njerëzimit. Kjo ishte edhe vizita e parë e Leonit XIV në Observatorin e Vatikanit, themeluar në vitin 1891 nga paraardhwsi, tw cilit i ka marrë emrin, nga Papa Leoni XIII, megjithëse ideja e Observatorit i ka gjurmët në themelimin e një komisioni nga Papa Gregori XIII për të studiuar të dhënat shkencore dhe implikimet e reformës së kalendarit të vitit 1582.
Ato "fara" harmonie
Leoni XIV foli për yjet dhe shkencën më se një muaj më parë, më 16 qershor, kur priti në audiencë pjesëmarrësit e Shkollës Verore të Observatorit të Vatikanit. Ai i ftoi "të ndajnë pa hezitim gëzimin dhe mrekullinë, që lind nga vëzhgimi i atyre 'farave', që, sipas fjalëve të Shën Augustinit, Zoti i ka shpërndarë në të gjithë harmoninë e universit". Shkolla verore e organizuar nga Observatori mbahet çdo dy vjet, në qershor dhe, u lejon pjesëmarrësve të rinj të ndjekin leksione të mbajtura nga ekspertë botërorë të astronomisë, si edhe të punojnë në projekte të ndryshme kërkimore. Tema e edicionit XIX ishte “Eksplorimi i universit me teleskopin James Webb”, duke iu referuar instrumentit në funksion që nga viti 2022, i cili kohët e fundit arriti të fotografojë pothuajse 800.000 galaktika.
Historia e Observatorit të Vatikanit
Ndër institucionet më të vjetra astronomike në botë, Observatori i Vatikanit është shprehje e interesit dhe e mbështetjes së vazhdueshme të Papëve për punën kërkimore astronomike. Duke u bazuar në traditën e pasur, si edhe për t'iu kundërvënë akuzave të hershme, që e konsiderojnë Kishën kundër shkencës, Papa Leoni XIII e rithemeloi zyrtarisht Observatorin në vitin 1891, duke e vendosur atë në një kodër pas kupolës së Bazilikës së Vatikanit. Për më se katër dekada, puna kërkimore astronomike, e cila përfshinte një program të madh ndërkombëtar për të bërë hartën e qiellit, u krye nën hijen e Shën Pjetrit, por, zhvillimi urban i Romës bëri që dritat e qytetit të pengonin vëzhgimin e yjeve. Prandaj, Papa Piu XI vendosi ta zhvendosë Observatorin në rezidencën verore papnore të Castel Gandolfos, rreth 25 kilometra në juglindje të Romës.
Në vitin 1981, për herë të parë në historinë e tij, Observatori krijoi një qendër të dytë kërkimore, Grupin Kërkimor të Observatorit të Vatikanit (VORG), në Tucson, Arizona, SHBA, një nga qendrat më të mëdha dhe më moderne të astronomisë në botë. Në vitin 1993, Observatori, në bashkëpunim me Observatorin Steward, përfundoi ndërtimin e Teleskopit Vatikanas të Teknologjisë së Avancuar (VATT) në Malin Graham, Arizona. VATT ishte pionier i teknologjisë së re të krijimit të pasqyrave të mëdha, të lehta dhe të qëndrueshme në një furrë rrotulluese, duke mundësuar programe kërkimore afatgjata dhe bashkëpunime ndërkombëtare.